Prifti palestinez: Nëse Krishti do të lindte sot, ai do të lindte nën rrënoja

Pastori Munther Isaac, kreu i Kishës Luterane Ungjillore në Betlehem dhe Beit Sahour, tha të dielën se “Nëse Jezu Krishti do të lindte sot, ai do të lindte nën rrënoja”, duke iu referuar luftës së pamëshirshme dhe shkatërruese izraelite në Rripin e Gazës.

Gjatë një ngjarjeje në Betlehem gjatë Krishtlindjeve, ai tha: “Ajo që po ndodh në Gaza është gjenocid dhe palestinezët do të qëndrojnë, si zakonisht, dhe do të rimëkëmben, por se nuk do të pranojnë falje nga ata që morën pjesë në këtë gjenocid”.

“Këtë vit, Krishtlindjet erdhën ndërsa vdekja dhe shkatërrimi shihen gjithandej, kurse rrënojat kanë mbuluar tokën tonë”, tha ai.

“Sot në Gaza, Jezusi është nën rrënoja apo në sallën e operacionit”, shtoi ai.

“Festimi i këtij viti është i vështirë për ne, familjet tona dhe të dashurit tanë. Populli ynë në Gaza po përballet me spastrim etnik”, tha ai duke vënë në dukje se “ajo që po ndodh në Gaza është gjenocid kundër popullit palestinez”.

“Përkundër kësaj goditjeje të madhe që po përjetojmë, ne palestinezët do të rimëkëmbemi. Por, për bashkëpunëtorët, më vjen keq për ju. A do të shpëtoni ndonjëherë nga kjo”, tha më tej Isaac.

Të krishterët palestinezë kanë vendosur të kufizojnë festimet e Krishtlindjeve dhe ritualeve fetare për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 20.424 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 54.036 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Sulmi izraelit e ka lënë Gazën në gërmadha, ku gjysma e banesave të territorit bregdetar janë dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur, ndërsa përballen me mungesë ushqimi dhe uji të pastër./ASA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne