Kosova zgjedh sot parlamentin e ri dhe kabinetin e ri qeveritar. Zgjedhjet shihen si një referendum për kryeministrin Albin Kurti, i cili është kritikuar edhe nga zyrtarë të administratës së mëparshme amerikane për veprimet, që janë cilësuar si të pakoordinuara, në veriun e Kosovës.
Në total janë 2533 kuti votimi e deri tani janë numëruar 599 kuti votimi ose 23% e tyre.
Ndërkohë rezultatet e Exit- Polleve nxjerrin Vetëvendosjen e Albin Kurtit forcë të parë nga 37% deri në 40.3% ndërsa PDK forcë e dytë, nga 22% deri në 23%. LDK parti e tretë me rreth 20% ndërsa AAK-Nisma deri në 8%.
Edhe pse sipas Exit- Polleve Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit është në rrugën e duhur për të dalë forcë e parë, do të duhet të negociojë një koalicion me parti të tjera për të formuar qeverinë.
Në total janë 28 subjektet politike me 1.280 kandidatë, garojnë për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime ishte 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërsa pjesëmarrja u shënua 40%. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja ishte dukshëm më ulët – nga mbi 48 për qind ra në rreth 40 për qind. Procesi i votimit shkoi mjaft i qetë e me parregullsi të papërfillshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po përballet me probleme teknike në sistemin online të përditësimit të rezultateve zgjedhore.
Në komunën e Pejës, të dhënat e publikuara tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka grumbulluar 96.44% të votave, një përqindje jashtëzakonisht e lartë.
Ndërkohë, në Podujevë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kryeson me 80.49% të votave.
Në nivel të përgjithshëm, sipas përditësimeve aktuale, VV-ja figuron me 55.77% të votave, ndërkohë që deri tani janë procesuar vetëm 23.65% e vendvotimeve./Shqiptarja