Pronat, në 7 vite 4,5% kompensime. Raporti i KLSH gjen shkelje në ATP

Në 7 vite, që nga hyrja e fuqisë së ligjit mbi kompensimin e ish-pronarëve, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kompensuar në total vetëm 794 vendime nga 18734, duke u përkthyer në vetëm 4,5% të procedurave. Të dhënat e konstatuara nga auditi i lartë i shtetit dëshmojnë se ritmet me të cilët ATP-ja ka ndërmarrë kompensimin e subjekteve ish-pronare, janë tepër të ngadalta. Nga ana tjetër, ligji i vitit 2015 parashikon se pagesat dhe kompensimet duhet të përfundojnë brenda një afati 10-vjeçar, në 2026 duke u kthyer në një mision të pamundur për të shlyer ende 90 % të ish-pronarëve. Gjithashtu, KLSH në zbatim të kontrollit të saj, ka nxjerrë në pah edhe raste të tjera shkeljesh.

Në 3 raste, nga Sektori i Kërkesave të Veçanta, subjekti, edhe pse paraqet kërkesë legjitime për shpërblim, ka kaluar në shqyrtim financiar dhe fizik, duke i kushtuar kështu buxhetit të shtetit një vlerë prej 60.388.502 lekësh. Agjencia e Pronave ka kompensuar në 3 vendimet të ndryshme, persona që nuk kanë pasur lidhje me tokat. Punonjësit e ATP-së nuk kanë pranuar vetëm kërkesa e trashëgimtarëve të pronarit të parë, por edhe të njerëzve të tjerë jashtë rrethit familjar.

Në 5 raste të tjera, janë evidentuar shkelje në kompensim fizik të pronave, duke abuzuar me fondin e tokës nga ana e ATP-së, e cila ka duke shmangur kriterin gjeografik të pronës, 4 pasuri janë përzgjedhur jo pranë tokës së njohur për kompensim fizik, por në një qark tjetër, konkretisht në rrugën nacionale Tiranë-Pogradec. Gjithashtu, është konstatuar se në 17 raste ATP ka punuar me dy standarde, ku për disa subjekte kompensimi është marrë në mënyrë të menjëhershme brenda disa muajve nga momenti i aplikimit, ndërkohë që të tjerë kanë qëndruar në pritje për mbi 2 vite.

Shkelje janë evidentuar edhe në mungesë dokumentacioni aprovimi dhe vazhdimin e procedurave nga ish-pronarët, të cilët janë kompensuar me mënyra jo sipas ligjit. KLSH ka rekomanduar që ATP të marrë masa për shkeljet e evidentuara./Tpz

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne