Metoda dhelparake dhe mungesa e transparencës së organizatorëve të protestës është dëshmi e këtij dëmtimi të karakterit
Nga Artur Shkurti
Drejtor, “Udha e shkronjave”
Tiranë, 8 qershor 2026
Qeveria Antikombëtare jo vetëm e koncepton dhe zbaton dëmtimin e karakterit të shqiptarit, por i bën reklamë suksesit të saj përmes turpërimit të shqiptarit, dhe përçarjes së qëllimtë djalë-vajzë me deklaratat e Edi Ramës dhe Erion Velisë që thotë “Djemtë shqiptarë janë zdromsa komplet”
Sami Frashëri: “Shthurja është një lumë i rrëmbyer që ecën midis popujve dhe i rrëmben popujt që janë mbrojtur me muret e një morali të mirë dhe me anën e një administrimi të mirë i dërgon nëpër grykëderdhje pranë detit ku ato janë të paracaktuar të mbyten.”
1. DËMI NDAJ VIRTYTEVE INTELEKTUALE
Në vend të nxisë virtytin e autonomisë në të menduar qeveria ka edukuar varësinë e jashtëzakonshme mendore që është premisë e shtypjes, ndërkohë që në anë tjetër edukon krenarinë boshe. Megjithëse është e provuar që marrja e të dhënave personale të fëmijëve dhe familjeve nga SMIP i Qeverisë është e paligjshme, të gjithë shqiptarët përfshirë edhe mësuesit, pedagogët, juristët, avokatët, gjykatësit, prokurorët, policët, hetuesit janë duke bërë sikur kjo s’ska rëndësi. Aftësitë e të menduarit kritik janë dëmtuar. Nxitja e plagjiaturës dhe kopjeve masive në provime shtetërore, sjellin fshehjen e situatës.
Vendin e zgjuarsisë që ndriçon karakterin e zë dinakëria që e shëmton atë. Më të aftit shkëputen dhe izolohen vetë ose me anë të grupit që edukon smirën. Të rinjtë nga një anë bëhen apatikë nga ana intelektuale për t’u përfshirë në diskutime të thelluara dhe nga ana tjetër zhvillojnë një kuriozitet të kotë. Gjykimi është dobësuar shumë.
Aftësia për reflektim dëmtohet dhe çon në një reagim impulsiv të tyre. Kemi dembelizëm mendor të zhvilluar.
Vetë protesta kombëtare nuk nxit reflektimin e bazuar në shkrime, analiza, por nxit besimin e verbër tek “të ndriçuarit” e protestës, që reflektimet e tyre nuk i shkruajnë në artikuj apo libra të botuar, por në video facebooku.
2. DËMI NDAJ VIRTYTEVE MORALE
Besa është zëvendësuar me besnikërinë e verbër ose me tradhëtinë. Mirësia është dëmtuar nga ligësia, egoizmi, smira. Bujaria është zëvendësuar me shpërdorimin, kopracia, lakmia. Dhimbsurinë e ka zëvendësuar pandjeshmëria. Qartësisht janë bërë mosmirënjohës. Mosmirënjohja shfaqet në nivel kombëtar e shtetëror në shpërfilljen thuajse totale të Poetit Kombëtar dhe të Rilindjes Kombëtare. Mirësjellja zëvendësohet me lajka ose vrazhdësi kaq të dukshme në rrjete sociale e media. Ndershmërinë e zëvendëson pandershmëria që shfaqet kudo në institucione, biznese që dëmtojnë qytetarin dhe klientin apo bashkëpunëtorët. Përulësinë e ka zëvendësuar ose nënçmimi i vetes ose krenaria boshe. Mungesa e integritetit është thuajse tipari kryesor i gjithë administratës shtetërore dhe masivisht në marrdhëniet e biznesit. Kjo edukohet në shkollë përmes sistemit të kopjeve në provime, të favorizimeve, diferencimeve ndërmjet nxënësve. Padrejtësia është kaq e dukshme sa s’ka nevojë për fakte. Kaq të dukshme janë njëanshmëria, mendjelehtësia, mungesa e empatisë, xhelozia, smira, idolatria, egoizmi, indiferenca, urrejtja, inati, konfliktualiteti, armiqësia.
Vetë protesta e organizuar është dëshmi e këtyre veseve. Organizatorët nuk tregojnë transparencë me popullin e vet, janë të pandershëm dhe finokë në atë që bëjnë.
3. DËMI NDAJ VIRTYTEVE QYTETARE
Humanizmi i shqiptarit është dëmtuar. Nëse shteti nxit padrejtësinë masive pasoja është apatia dhe mungesa e angazhimit qytetar. Nuk mund të hedhësh livando mbi trupin që s’ka bërë dush. Qeveria nuk i ofron dush karakterit të shqiptarit por pisllëk. Shqiptari detyrimisht do ta shpreh me mungesë angazhimi qytetar, mungesë të vetëdijes komunitare, me izolim dhe me grindje të kota.
Është e qartë se Qeveria ka dëmtuar Edukimin Kombëtar të shqiptarëve. Shqiptari edhe kur largohet kërkon të jetë sa më larg shqiptarëve dhe jo sa më afër. Nëse janë afër, nuk është prej dashurisë, por nuk kanë çfarë të bëjnë. Kjo qartësisht ndryshon nga shqiptarët e Kosovës, pra është dëm konkret i Shqipërisë. Nivelet e larta të asimilimit dhe ndjekja tepër e dobët e shkollave shqipe është tregon se ata nuk ka një edukim kombëtar, dhe është dëmtuar qëllimisht nga Qeveria që i hoqi titullin Poet Kombëtar Naim Frashërit që është autori më i fuqishëm i programit të edukimit kombëtar të shqiptarëve. Vendin e shërbimit e ka zënë egoizmi. Vendin e bashkëpunimit dhe të punës në grup e ka zënë individualizimi dhe protagonizmi i tepruar. Kjo ndodh edhe në protestë. Organizatorët në shumë drejtime duan të bëjnë për budallenj shqiptarët, duke dëmtuar pikërisht virtytin qytetar dhe vullnetarizmin.
4. VESET E PERFORMANCËS
Rilindasit lëvduan guximin, trimërinë, aftësinë për vetëflijim që shqiptari trashëgonte prej shekujsh. Kjo qartësisht është dëmtuar. Shqiptari ka humbur sigurinë në vetvete, dhe kjo ndodh kryesisht prej sistemit arsimor sistematikisht e qëllimisht të dobët. Qeveria është e vetëdijshme se pse ajo e dëmton Arsimin Shqiptar.
Shqiptarët tregojnë pasiguri, dhe frikë, por janë edhe arrogantë në atë që bëjnë, pra nuk dinë se çfarë bëjnë.
Vendosmëria është virtyt, por nëse janë të pasigurtë, kjo zëvendësohet me kokëfortësinë. Vendin e motivimit e ka zënë apatia. Vullnetin e ka zënë apatia. Qartësisht rinia shqiptare duket e lodhur dhe vitet që duhej të ishin më të bukurat janë kthyer në një pritje për t’u bërë pleq. Ata tashmë dorëzohen shpejt. Nuk e marrin veten.
Karakterin punëtor e ka zëvendësuar dembelizmi i pashoq, dhe kjo bëhet burim i shumë veseve. Droga, alkooli, duhani janë pasojë e karakterit dembel. Janë bërë të paqëndrueshëm dhe qartësisht janë të padisiplinuar. Institucionet e biznet e dëshmojnë masivisht mungesën e bindjes. Nuk kanë aftësi udhëheqëse dhe më qartë e tregon inteligjenca. Organizatorët e protestës vetëm thonë “çohu nga kafja”, por nuk kujdesen që ata vetë të dëshmojnë se u dhimbset karakteri e virtytet. Duan që të mos e kalojnë veten në filtrin e karakterit dhe të virtyteve.

















