“Që nga 7 tetori janë kryer mbi 490 sulme nga Izraeli në qendrat shëndetësore në territoret palestineze”

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në territoret e pushtuara palestineze, Richard Peeperkorn, ka bërë të ditur se ata kanë konfirmuar mbi 490 sulme izraelite në objektet shëndetësore që nga 7 tetori, 246 prej të cilave kanë ndodhur në Gaza dhe 251 në Bregun Perëndimor. Peeperkorn foli në një konferencë për media online të mbajtur nga OBSH-ja për situatën e spitaleve në Gaza, e cila është nën sulme dhe bllokadë intensive nga Izraeli.

Peeperkorn tha se OBSH-ja dhe Kombet e Bashkuara (OKB) dje dërguan furnizime mjekësore për Spitalin Baptist Al-Ahli dhe Spitalin Shifa në veri të Gazës pas një operacioni të rrezikshëm, duke shtuar se fillimisht kanë planifikuar që të shpërndajnë derivate në dy objekte shëndetësore, por kanë furnizuar vetëm mjete mjekësore për arsye sigurie. “Ekipet tona shpërndanë shtatë paleta me furnizime mjekësore dhe dëshmuan ndikimin e sulmeve të fundit në objektet e kujdesit shëndetësor dhe shkallën e shkatërrimit. Stafi ynë nuk mund të gjejë fjalë për të përshkruar situatën përtej katastrofës me të cilën përballen pacientët e mbetur dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor”, tha Peeperkorn.

Duke deklaruar se vetëm shtatë nga 36 spitalet në Gaza ofrojnë shërbim të pjesshëm, Peeperkorn tha se, “Të gjithë spitalet që ofrojnë shërbim janë në jug të Gazës. Nuk ka mbetur asnjë spital funksional në veri. Spitali Baptist Al-Ahli ishte spitali i fundit që shërbente në veri të Gazës, por tani është në një nivel minimal”. “Më shumë se 20 mijë njerëz kanë vdekur në konfliktin në Gaza deri më tani. Kjo korrespondon me pothuajse 1 për qind të të gjithë popullsisë së Gazës”, tha Peeperkorn.

Duke theksuar se OBSH-ja përsëriti “thirrjen e saj për një armëpushim humanitar”, Peeperkorn tha se ata kanë konfirmuar mbi 490 sulme izraelite ndaj objekteve shëndetësore në territoret e pushtuara palestineze që nga 7 tetori, 246 prej të cilave kanë ndodhur në Gaza dhe 251 në Bregun Perëndimor. Peeperkorn theksoi se këto sulme rezultuan në 582 të vdekur dhe 748 të plagosur.

I pyetur nga Anadolu se çfarë planifikojnë të bëjnë si OBSH për të mbrojtur punonjësit e kujdesit shëndetësor nga sulmet izraelite, Peeperkorn tha se OBSH-ja është e detyruar të monitorojë, analizojë dhe raportojë sulmet ndaj shërbimeve shëndetësore në të gjitha llojet e konflikteve. Peeperkorn tha se “ndalimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor është një sulm ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor”. Duke theksuar se ata janë jashtëzakonisht të shqetësuar për ndalimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor, Peeperkorn tha se “sigurisht, familjet dhe kolegët e tyre duhet të informohen për këtë”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne