Rusi, 40 refugjatë palestinezë arrijnë në rajonin Karachay-Cherkess

Grupi i parë i refugjatëve palestinezë mbërriti në rajonin Kaukazian të Rusisë, Karachay-Cherkess. Kreu rajonal, Rashid Temrezov, në një deklaratë në Telegram tha se 40 refugjatë palestinezë, përfshirë 26 fëmijë, u dërguan mbrëmë në qytetin turistik Teberda dhe u vendosën në një qendër të përgatitur posaçërisht. Zyrtari shtoi se qendra ofron tre vakte të ngrohta në ditë, një faltore dhe një sallë lojërash për fëmijë.

Sipas Temrezovit, një staf i përbërë nga mjekë, farmacistë, psikologë dhe përkthyes po punojnë gjatë gjithë orarit për të ndihmuar refugjatët. “Ne u përpoqëm t’i bëjmë mysafirët tanë të ndihen rehat, ngrohtë dhe të mirëpritur në mënyrë që ata të mund të tejkalojnë stresin dhe frikën e përjetuar gjatë armiqësive”, tha ai. Sulmet izraelite në Rripin e Gazës filluan menjëherë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 20 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe duke plagosur 52.586, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Sulmi izraelit e ka kthyer Gazën në gërmadha, ku gjysma e banesave janë dëmtuar ose shkatërruar. Pothuajse 2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur dhe përballen me mungesë të ushqimit dhe ujit të pastër./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne