Qeveria britanike humb gjyqin, azilkërkuesit nuk mund të dërgohen në Ruanda

Londër- Qeveria britanike ka humbur në Gjykatën e Apelit, gjatë një procesi që lidhet me dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda.

Qeveria dëshironte të dërgonte azilkërkuesit në vendin afrikan, pjesërisht për të parandaluar kalimet me gomone drejt brigjeve të MB. Dy nga tre gjyqtarët gjetën se Ruanda nuk ishte një “vend i sigurt” – pasi azilkërkuesit mund të dërgoheshin në vendin e tyre të origjinës.

Qeveria e Ruandës “nuk pajtohet” me vendimin – duke thënë se është një nga vendet më të sigurta në botë.

Dy nga tre gjyqtarët arritën në përfundim se mangësitë në sistemin e azilit në Ruanda, do të thotë se ka një “rrezik real” që azilkërkuesit mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës – dhe pastaj të ballafaqohen me ndjekje ose trajtime të tjera jo-humanitare atje.

“Në këtë kuptim, Ruanda nuk është një vend i tretë i sigurt “, konkluduan dy gjyqtarët.

Politika kontroverse e Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda, erdhi për shkak të rritjes së numrit të personave që kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin, pjesa dërrmuese e tyre me gomone.

Ky plan u kundërshtua nga aktivistë të të drejtave të njeriut dhe tashmë, pas vendimit të gjykatës nuk do të mund të vihet në zbatim. /TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne