Qeveria izraelite miraton projekt-buxhetin për vitin 2025, pjesa më e madhe e parave shkon për luftën

Qeveria izraelite miratoi të premten, projekt- buxhetin e vitit 2025, pjesa më e madhe e të cilit është dhënë për të mbështetur luftërat e saj në fronte të ndryshme dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë e ekonomisë, sipas ministrit të Financave Bezalel Smotrich.

Buxheti, i cili duhet të votohet edhe nga Knesset, parlamenti izraelit, arrin rreth 150 miliardë euro.

Ai përmban një fond prej 2.2 miliardë euro për të ndihmuar mijëra rezervistë të thirrur nga ushtria pas fillimit të luftës kundër Hamasit palestinez në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023.

Deficiti publik është caktuar në 4 .3% për këtë vit, shpjegoi ministri i ekstremit të djathtë.

Koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu ka shumicën në Knesset, por disa ministra kritikuan disa nga shkurtimet e buxhetit.

Ministri i Sigurisë së Brendshme të ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir denoncoi shkurtimin e fondeve për ministrinë e tij, të cilat ai tha se do të “dëmtonin funksionimin e duhur të policisë, administratës së burgjeve dhe shërbimeve të shpëtimit”.

Netanyahu, nga ana e tij, vlerësoi “buxhetin e rëndësishëm, të vështirë por të nevojshëm në këtë vit lufte”.

Ai njoftoi shpenzime shtesë për mbrojtjen ndërsa Izraeli përballet me Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në kufirin e tij verior dhe në Liban.

Izraeli gjithashtu përballet me sulme dhe kërcënime nga Irani dhe përfaqësuesit e tij. Sasia e fondit do të vendoset nga një komision i posaçëm për sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, opozita kritikoi projektbuxhetin, duke thënë se ai favorizon partnerët e koalicionit të Netanyahut.

Sipas liderit të opozitës Yair Lapid, ish-kryeministër, ky buxhet “do të rrisë shpenzimet e çdo familjeje në Izrael me pothuajse 5,000 euro dhe do të shpërndajë “miliarda në dhjetë ministri të padobishme”./sot

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress