Qeveria në veprim, hap tender 305 mijë euro për ekspertiza për “faljen” e ishullit të Sazanit dhëndrit të Trump!

Pesë ditë para inaugurimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeveria shqiptare po tenton që të tërheqë vëmendjen e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Në datën 30 dhjetor 2024, Komiteti i Investimeve Strategjike shpalli investitor Jared Kushner, dhëndri i Trump, i cili do të duhet që të investojë një shumë prej 1.4 miliardë eurosh për kompleksin në ishullin e Sazanit.

Por, paralelisht me këtë vendim, Korporata e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka hapur me shpejtësi një tender në Agjencinë e Prokurimit Publik. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, tenderi bën fjalë për ekspertiza për negocimin e marrëveshjes me firmën e Kushner.

Dokumenti i mësipërm është shpallur disa ditë më parë në APP, teksa ka si objekt prokurues Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila funksionon si sh.a. Objekti i kontratës është një marrëveshje kuadër “mbështetje me ekspertizë ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore për projektin e investimit”.

Tenderi ka një vlerë prej 30 milionë lekësh, ose 305 mijë euro, teksa ka një afat për zbatimin 8 muaj nga data e nenshkrimit të kontratës. “Me vendimin numër 23, datë 30 dhjetor 2024, Korporata e Investimeve Shqiptare është ngarkuar të sigurojë ekspertizën ligjore/financiare dhe teknike/mjedisore në funksion të forcimit të pozitave të shtetit shqiptar në këtë investim strategjik. Me qëllim respektimin e afateve të vendosura nga KIS per sigurimin e kësaj ekspertize, Autoriteti Kontraktor e ka të pamundur respektimin e afatit të përcaktuar në pikën 2 të nenit 42 të Ligjit për Prokurimin Publik” thuhet në këtë dokument.

VoxNews shfletoi dokumentet shoqëruese të kësaj procedure, ku rezulton se po zbaton vendimin e KIS, për projektin “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” me subjekt aplikues “Atlantic Incubation Partners LLC” shoqëri e të drejtës amerikane.

“Është një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie të veçantë për vendin. Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga pala shtet dhe subjekti investues” thuhet në dokument.

Më tej sqarohet se me qellim forcimin e pozitave të shtetit shqiptar është e nevojshme sigurimi i ekspertizë ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore për projektin e investimit për Grupin e Negocimit te Marrëveshjes dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare. Kërkohet raport të vlerësimit të pronës, analizë ligjore dhe financiare të planit të biznesit, studimin e fizibilitetit dhe relacionin shpjegues.

Lista me kërkesa është e gjatë, por ajo që bie në sy është se si qeveria do t’ia lërë “barrën” një firme private për të bërë këto “negociata”. Përse duhet firmë private? Kujt ia ka premtuar këtë negocim? A mos ndoshta janë sërish amerikanët apo ndonjë firmë e lidhur me to?

Në datën 30 dhjetor 2024, me vendimin me numër 23, qeveria shqiptare i ka miratuar statusin e investitorit strategjik Jared Kushner, kompania e të cilit planifikon të ndërtojë një resort luksoz në ishullin e Sazanit. “Investimi i parashikuar i ‘Resort Turistik Ishulli i Sazanit’ prej 1.4 miliardë eurosh përmbush kriteret e parashikuara në legjislacionin për investimet strategjike”, thuhet në vendimin e qeverisë për dhënien e statusit.

Sipas saj, investimi i projektuar plotëson kriteret për numrin e vendeve të punës siç kërkohet me legjislacionin për investimet strategjike. Gjatë pjesëve zhvillimore dhe operacionale të investimit parashikohet punësimi i 1000 personave. Në vendimin e qeverisë theksohet se projekti do të zërë rreth 562 hektarë, nga të cilët rreth 45 hektarë do të zhvillohen. Kushner gjithashtu planifikon të ndërtojë një resort me vila në Zvërnec si dhe të zhvillojë qendrën e Beogradit me hotele shumëkatëshe./Voxnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne