Në monologun e tij prej rreth 70 minutash, Edi Rama u ndal gjatë te çështja e Zvërnecit, duke sulmuar atë që e quajti përhapje të legjendave dhe dezinformatave rreth projekteve në zonë.
Deklarata që shkaktoi më shumë reagime ishte referenca e tij ndaj “pseudo-myslimanëve”, të cilët i akuzoi se po përhapin pretendimin se Zvërneci i është shitur Izraelit. Kjo gjuhë u konsiderua nga kritikët si e papërshtatshme dhe përçarëse ndaj një pjese të opinionit publik.
Kundërshtarët politikë të Ramës argumentojnë se kryeministri po tregohet gjithnjë e më i afërt me qëndrimet e aleatëve perëndimorë dhe të Izraelit në çështje të politikës së jashtme, ndërsa mbështetësit e tij kundërshtojnë këtë interpretim dhe thonë se deklaratat e tij kishin në shënjestër teoritë e pabazuara dhe jo besimtarët myslimanë.
Debati për Zvërnecin vazhdon të mbetet i ndezur, ndërsa deklaratat e fundit të kryeministrit kanë shtuar polemikat në opinionin publik, pasi gjate protestes para kryeministrise kishte brohoritje ‘Poshte Izraeli’ ‘Rama burg, Berisha Burg’./gazetaimpakt

















