Retorika e ‘kaurrit’: Si Blushi ringjall gjuhën më ndarëse të shekujve të errët

Postimi i Ben Blushit për Ditën e Pavarësisë është një nga shfaqjet më të qarta të mënyrës së tij të njohur tashmë: deformim historik, demonizim selektiv dhe sulm i tërthortë, por i qëndrueshëm, ndaj Islamit dhe komunitetit mysliman në Shqipëri. Kjo nuk është hera e parë. Prej vitesh Blushi ndërton narrativën e tij politike dhe letrare duke përdorur Islamin si simbol negativ, shpesh duke e barazuar me prapambetje, kolonializëm, nënshtrim e errësirë – një gjuhë që nuk është as shkencë, as histori, por thjesht provokim.

Përmes gjithë tekstit të tij, ai përpiqet të krijojë një ekuacion të rrezikshëm: Otomani = muslimani. Kjo është një strategji retorike e vjetër, e cila, edhe pse e veshur me terma “historikë”, synon të godasë ndjeshmëritë fetare të mijëra qytetarëve që janë pjesë e kombit shqiptar po aq sa çdo shqiptar tjetër. Në vend që të analizojë periudhën osmane me kompleksitetin që meriton, ai e shndërron në një slogan ideologjik që, për nga toni, prek Islamin shumë më tepër sesa Perandorinë Osmane.

Duke lexuar fjalët e tij, bëhet e qartë se Blushi nuk ka interes të sqarojë historinë, por të krijojë një armik të brendshëm. Fjalitë e tij janë mbushur me fyerje ndaj një epoke të tërë dhe, nën rrogoz, ndaj besimit të shumë shqiptarëve. Ai nuk kritikon një administratë perandorake; ai i ngjit asaj etiketime që i drejton pastaj tek identiteti fetar i sotëm. Kjo është e papërgjegjshme.

Edhe libri i tij “Jam musliman” e tregoi qartë: ishte më shumë një provokim i paramenduar sesa një përballje intelektuale. Duke u shtirur sikur analizon fenë, ai krijoi një figurë të karikaturizuar të muslimanit shqiptar, që nuk përkon me realitetin, me kulturën, as me historinë tonë të bashkëjetesës. Ato që ai i quan “analiza” janë, në fakt, nënçmime të maskuara si mendim kritik.

Ajo që shqetëson më shumë në postimin e tij të fundit është gjuha dehumanizuese dhe hiperbolike, e cila jo vetëm përçmon një pjesë të së kaluarës sonë, por prek drejtpërdrejt edhe identitetin e shumë shqiptarëve të sotëm. Në një vend ku harmonia fetare ka qenë gjithnjë vlera kryesore, Blushi fut hundët në plagët më të ndjeshme që mund të ketë një komb dhe i rihap ato me qëllim për të fituar vëmendje.

Ai nuk flet për historinë, ai flet për t’i treguar gishtin një grupi njerëzish.

Ai nuk flet për pushtimin osman, por për të ngjallur neveri ndaj Islamit.

Ai nuk flet për pavarësinë, por për të krijuar ndasi të reja në një ditë që duhet t’i bashkojë shqiptarët, jo t’i ndajë.

Të bësh histori është detyrim intelektual.
Të bësh propagandë duke goditur fenë e bashkëkombësve të tu është thjesht i papranueshëm./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne