Rindërtimi kushton 170 milionë dollarë, ndryshimet në buxhet “rimbushën arkën” e lënë bosh

4 vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit vijon të ketë kosto të kripura për buxhetin e shtetit.  Fondi fillestar i planifikuar për vitin 2023 ishte 5 miliardë lekë, i menaxhuar nga njësitë e qeverisjes qendrore. Të dhënat e Ministrisë së Financave, tregojnë se deri më 30 qershor, rezulton që fondi i rindërtimit i dedikuar për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara  të viteve të mëparshme dhe pjesa e mbetur për projekte të reja, është përdorur në masën rreth 1.8 miliardë lekë ose 35.9 përqind e planit 2023.

Ndërsa të dhënat për 9 mujorin, tregojnë se i gjithë financimi i vënë në dispozicion është ezauruar.  Kjo ka bërë që qeveria të rishikojë buxhetin, duke e shtuar këtë fond me 12 miliardë lekë. Kostoja totale e këtij procesi për vitin 2023 llogaritet në afro 17 miliardë lekë apo 170 milionë dollarë, pa përfshirë këtu fondet e transferuara tek njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Bashkitë kanë pasur në dispozicion për rindërtimin një financim prej 6.3 miliardë lekësh,  ku përfshihet vetëm mbartja e fondit të akorduar me VKM, por e papërdorur në vitin 2022,  dhe në fund të 5 mujorit 2023, rezulton të jenë përdorur rreth 2.4 miliard lekë, ku afro 1.5 miliardë janë përdorur për shpenzime kapitale dhe pjesa tjetër janë transferta për familjet dhe individët dhe shpenzime operative dhe mirëmbajtje.

Në ndryshimet e fundit me akt normativ, Ministria e Financave ka rritur edhe fondin rezerve me 300 milionë lekë, duke e çuar në 3.8 miliardë lekë, ku 2 miliardë lekë janë të dedikuara për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme dhe  1.8 miliardë  lekë, për përballimin e kostos së zgjedhjeve. Të dhënat e financave tregojnë se deri në fund të Qershorit, nga shuma e planifikuar për raste të paparashikuara, kanë qenë aktive vetëm 375 milionë lekë.  Ky fond është përdorur kryesisht për shpenzime personeli, shpenzime korrente dhe kapitale./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne