Nga Philip Pilkington
Disa analistë izraelitë po spekulojnë se Turqia mund të krijojë madje një aleancë pragmatike me Iranin, ndaj po i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara që të mbrojë kurdët me çdo kusht, duke marrë në shqyrtim edhe skenarin e një zone të ndalim-fluturimit në zonën e kontrolluar nga kurdët në Sirinë Veriore.
Pas rënies së regjimit të Bashar Al-Assadit në Siri në fillim të këtij muaji, në qarqet e politikës së jashtme perëndimore pati një periudhë të shkurtër shfrimi emocionesh. Tani që lufta ka mbaruar dhe që Turqia po e ripohon ndikimin e saj në rajon, shpresat e tilla po shuhen me shpejtësi.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, deklaroi javën e kaluar se nëse milicitë kurde në Siri nuk do të dorëzojnë armët, ata do të “varroseshin bashkë me to”. Pozicioni i qeverisë së re siriane nën drejtimin e Hay’at Tahrir al-Sham (HTS) mbi çështjen kurde është i paqartë. Por po bëhet gjithnjë e më dukshme, se turqit kanë ndikim të madh mbi këtë grup.
Menjëherë pas deklaratës së ashpër të Erdogan, djali i tij njoftoi mbajtjen e një tubimi të madh në Stamboll më 1 janar, duke shtuar: “Dje Hagia Sophia, sot Xhamia Umajad, nesër xhamia Al-Aksa!”. Xhamia Umajad është në Damask, dhe nga kjo deklaratë mund të arrijmë në përfundimin se turqit e konsiderojnë veten si fuqia e re të madhe në Siri.
Xhamia Al-Aska ndodhet në Jerusalem, ndaj përmendja e saj habiti shumëkënd në Izrael, për shkak të këtij rigjallërimi të fuqisë rajonale të Ankarasë. Në fillim të javës, partneri i koalicionit të Erdogan në qeveri, udhëheqësi nacionalist Devlet Bahçeli, shprehu ndjenja të ngjashme.
Gjatë një fjalimi ai tha se “pushtimi i Damaskut nënkupton pushtimin e Jeruzalemit, dhe Izraeli nuk duhet të harrojë shuplakën osmane që mori dikur Tel Aviv dhe Jerusalem”. Në mesin e nëntorit, qeveria turke i ndërpreu të gjitha lidhjet me Izraelin, një akt që duket shumë i ndryshëm pas rënies së regjimit të Assadit në Damask.
Pra duket se liderët turq po përgatiteshin për operacionin sirian, në të njëjtën kohë kur po prishnin marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Disa argumentojnë se deklarata të tilla janë thjesht reflektim i entuziazmit në Turqi për rifitimin e ndikimit të madh në Siri, e cila dikur ishte pjesë e Perandorisë Osmane.
Por politikëbërësit në Uashington, po i kushtojnë vëmendje zhvillimeve të fundit. Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump nxitoi t’i referohej Erdoganit përpara Krishtlindjeve, duke e bërë atë përgjegjës për komplotin e rënies së Assadit, ndërsa sugjeroi se Turqia mund të bëhet një fuqi e madhe rajonale: “Në fund, askush nuk e di se kush do të sundojë. Por unë besoj se do të jetë Turqia”.
Tani Izraeli po përpiqet që të kuptojë situatën e re në Lindjen e Mesme. Disa analistë izraelitë po spekulojnë se Turqia mund të krijojë madje një aleancë pragmatike me Iranin, ndaj po i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara që të mbrojë kurdët me çdo kusht, duke marrë në shqyrtim edhe skenarin e një zone të ndalim-fluturimit në zonën e kontrolluar nga kurdët në Sirinë Veriore.
Por ky veprim do t’i fuste Shtetet e Bashkuara në një konflikt të mundshëm me Turqinë, një aleate e NATO-s, forcat ajrore të së cilës janë të pajisura me avionë të prodhimit amerikan. Me sa duket ekspertët perëndimorë të politikës së jashtme, janë kapur të papërgatitur ndaj rishfaqjes në skenë të fuqisë rajonale turke. Deri në rënien e qeverisë së Assadit në Siri, shumica e analistëve supozonin se Erdogan ishte një lojtar i kujdesshëm që fliste për një lojë të madhe, por që në fund vepronte si një fuqi balancuese, duke bashkëpunuar me cilindo që i leverdis.
Kur HTS nisi të marshonte nëpër Siri, analistët perëndimorë u rikthyen tek pozicionet e tyre të vjetra për Luftën Civile Siriane, duke e parë Assadin si një aleat të rusëve dhe rrjedhimisht një armik. Tani, të njëjtët analistë duhet të marrin parasysh një Turqi potencialisht të ringjallur, ndaj së cilës nuk dinë se çfarë qëndrimi të mbajnë.
Gjithnjë e më shumë, lupa perëndimore për shikimin e konfliktit gjeopolitik, duket e prishur dhe e vjetruar. Ndërsa fuqia hegjemonike amerikane po zbehet në të gjithë botën, gjendja e punëve po i rikthehet llojit të gjeopolitikës civilizuese që ekzistonte përpara Luftës së Parë Botërore. Impulset që i shtynë të veprojnë lojtarët kryesorë mbi 100 vjet më parë, nuk janë zhdukur ndonjëherë.
Vende si Turqia, vazhduan ta shohin shpërbërjen e ndikimit të tyre rajonal nga një këndvështrim negativ. Ndoshta së shpejti do të arrijmë ta shohim shekullin XX-të, si një periudhë të ndërmjetme të pazakontë, teksa bota po i kthehet qasjeve të vjetra që kanë pasur ndikim për mijëra vite./Pamfleti