Rusia nis përpjekjet për marrjen e kontrollit të plotë mbi “Wagner”-in jashtë vendit

Sipas gazetës amerikane “Wall Street Journal”, figura të larta nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë kontaktuan qeveritë e Sirisë, Republikës së Afrikës Qendrore dhe Malit.

Rusia ka nisur përpjekjet për marrjen e kontrollit të plotë të “perandorisë globale” të cilën e ngriti udhëheqësi i grupit mercenar “Wagner”, raportoi të mërkurën gazeta amerikane “Wall Street Journal” (WSJ), transmeton Anadolu.

Figura të larta nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë kontaktuan qeveritë e Sirisë, Republikës së Afrikës Qendrore dhe Malit, sipas WSJ.

Raporti thotë se zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Vershinin udhëtoi në Damask për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me presidentin sirian Bashar al-Assad, duke kërkuar nga ai të mos lejojë largimin e forcave të “Wagner”-it nga Siria pa mbikëqyrjen e Moskës.

Pas takimit zyra e Asadit doli me një deklaratë, ku tha se me zyrtarin rus u diskutuan zhvillimet në lidhje me praninë e “Wagner”-it në Siri “në dritën e ngjarjeve të fundit”.

Sipas dy personave të afërt me këtë temë, forcat e “Wagner”-it, të cilat veprojnë kryesisht në mënyrë të pavarur në Siri, u urdhëruan të shkonin në bazën ajrore në qytetin Latakia, e cila është nën kontrollin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe ata vepruan sipas udhëzimit.

– Zyrtarët rusë telefonuan presidentin e Republikës së Afrikës Qendrore

Përpjekja e radhës e Kremlinit për marrjen e kontrollit të “Wagner”-it dhe për të siguruar vazhdimin e operacioneve të mbështetura nga “Wagner”-i në Afrikë ishte Republika e Afrikës Qendrore, sipas WSJ. Në këtë kontekst, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme ruse zhvilluan biseda telefonike me presidentin e Republikës së Afrikës Qendrore, Faustin-Archange Touadera, i cili në radhët e truprojave të tij personale ka mercenarë të “Wagner”-it.

Në këto bisedime, zyrtarët rusë siguruan se kriza që shpërtheu të shtunën nuk do të pengonte aktivitetet e Rusisë në Afrikë. Këshilltari presidencial për sigurinë, Fidele Gouandjika tha se “Wagner” është një çështje e brendshme e Rusisë dhe shtoi se zhvillimet nuk kanë ndikim të madh për vendin e tij.

“Jemi të qetë kur shohim se asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse Moska vendos t’i thërrasë ata dhe të na dërgojë Bethoven ose Mozart, ne do t’i pranojmë ata”, tha Gouandjika.

– Avionët rusë fluturojnë për në Mali

Avionët që i përkisnin Ministrisë Ruse të Situatave të Emergjencave kaluan nga Siria në Mali për të siguruar vazhdimësinë e pranisë së grupit “Wagner” në Mali dhe për të mbrojtur interesat e saj në rajon.

Në Mali, forcat e “Wagner”-it të mbështetura nga avionët luftarakë dhe helikopterët rusë kanë ndihmuar në luftën kundër kryengritësve që nga viti 2012. “Wagner e ka ndihmuar Rusinë të rrisë ndikimin e saj dhe qeveria heziton të heqë dorë”, tha në një deklaratë J. Peter Pham, ish i dërguari special i SHBA-së për Sahelin e Afrikës.

Rreth 6.000 pjesëtarë të “Wagner”-it kryejnë aktivitete jashtë Rusisë dhe Ukrainës, duke filluar nga siguria private dhe pastrimi i minave në Republikën e Afrikës Qendrore, lufta civile e së cilës daton 10 vjet më parë, deri te mbrojtja e puseve të naftës dhe zonave të kontrolluara nga qeveria në Siri.

Ndërsa SHBA-ja dhe vendet perëndimore kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm për të ndaluar aktivitetet e “Wagner”-it dhe për të zvogëluar ndikimin e tij. SHBA-ja këtë javë njoftoi sanksione ndaj kompanive të arit me bazë në Afrikë që “Wagner” dyshohet se i ka përdorur për të ndihmuar në financimin e operacioneve të saj në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë theksuan se sanksionet shtesë kundër “Wagner”-it do të shpallen në ditët në vijim.

– Revolta e grupit “Wagner” kundër autoriteteve ruse

Themeluesi i kompanisë private të sigurisë, Yevgeny Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e një sulmi ndaj “Wagner”-it dhe kërcënoi se do të hakmerrej. Luftëtarët e “Wagner”-it u larguan nga Ukraina dhe hynë në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don.

Në mes të tensioneve, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) hapi një çështje penale kundër Prigozhinit dhe luftëtarëve të “Wagner”-it me akuzën për “trazira të armatosura”. Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi rebelimin e “Wagner”-it si “tradhti”. Prigozhin njoftoi se ata do të shkonin në Moskë ndërsa Kremlini kishte rritur masat e sigurisë në shumë pjesë të vendit.

Më vonë u raportua se Prigozhin ka pranuar propozimin e presidentit bjellorus Alexander Lukashenko për të ulur tensionet në Rusi. Prigozhin njoftoi gjithashtu se do të ndalojë rrugëtimin drejt Moskës dhe se do të kthehet në baza sipas planit. Nga ana tjetër Kremlini njoftoi mbylljen e çështjes penale kundër Prigozhinit, duke bërë të ditur se “udhëheqësi rebel” do të shkonte në Bjellorusi.

“Sot ju keni mundësinë të vazhdoni t’i shërbeni Rusisë ose të ktheheni te familjet dhe miqtë tuaj, duke lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes ose agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit. Nëse dëshironi, mund të shkoni në Bjellorusi”, tha Putin në një deklaratë publike gjatë një paraqitje televizive më 26 qershor/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress