Senatori amerikan Graham u përpoq të minimizonte vrasjet masive të civilëve në Gaza

Senatori amerikan Lindsey Graham në deklaratën e tij u përpoq të minimizojnë numrin e madh të njerëzve të vrarë në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli vazhdon me ofensivën kundër enklavës së bllokuar palestineze me qëllimin për të eliminuar Hamasin. “Pra, na tregoni se si mund ta bëjmë këtë ndryshe”, u përgjigj senatori Graham gjatë një interviste në CNN kur u pyet nëse besonte se janë vrarë shumë civilë në Gaza.

Ai vazhdoi duke krahasuar luftën izraelite me luftën e aleatëve kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “A vdiqën shumë njerëz në Luftën e Dytë Botërore pas Pearl Harbor? A i interesonte publikut amerikan se sa njerëz vdiqën për të shkatërruar Tokion apo Berlinin? E di që nuk është njësoj, por është e ngjashme”, tha Graham. Më shumë se 16.200 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i sulmeve izraelite, pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor. Sipas qeverisë me bazë në Gaza, nga numri i përgjithshëm i viktimave, 7.112 janë fëmijë dhe 4.885 gra. Më shumë se 43.600 njerëz janë plagosur.

Izraeli rifilloi ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës të premten pas përfundimit të pauzës humanitare njëjavor me Hamasin pasi palët nuk arritën të bien dakord për kushtet e vazhdimit të pauzës. Gjatë fundjavës, Graham iu përgjigj komenteve të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili paralajmëroi Izraelin të reduktonte shënjestrimin e mëtejshëm të civilëve dhe tha se përndryshe rrezikonte “humbjen strategjike” në Gaza.

“Në një luftë urbane, ju mund të fitoni vetëm duke mbrojtur civilët. Në këtë lloj luftimi, qendra e gravitetit është popullsia civile. Dhe nëse i shtyni ata në krahët e armikut, ju shkëmbeni fitoren taktike me humbje strategjike. Kështu që unë ua kam bërë të qartë udhëheqësve izraelitë në mënyrë të përsëritur se mbrojtja e civilëve palestinezë në Gaza është përgjegjësi morale dhe imperativ strategjik”, tha Austin në Forumin e Mbrojtjes Kombëtare të shtunën. Në përgjigje, Graham tha se nuk dinte se si ta bënte këtë dhe akuzoi Hamasin për praninë e saj në lagje, shkolla, spitale dhe tunele sekrete.

“Arsyeja pse kaq shumë palestinezë po vdesin, mendoj, është sepse Hamasi dëshiron që ata të vdesin. Pra, nëse keni ide për reduktimin e viktimave civile, më njoftoni, do t’i tregoj Izraelit, ose ju njoftoni drejtpërdrejt. Por, ideja që Hamasi ende është në këmbë kur kjo të përfundojë do të ishte dështim i tmerrshëm strategjik”, tha Graham./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne