Serveri i Tatimeve në rrezik, anulohet tenderi 1.5 milion euro për mirëmbajtjen e sistemit

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi anullimin e tenderit për përmirësimin e Sistemit e-taxation- në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, pasi sipas saj, fituesi i tenderit nuk paraqiti sigurimin e ofertës. Tenderi me vlerë 1.5 milionë euro ishte shpallur që në tetor të vitit të kaluar dhe ofertat u hapën në 24 nëntor. Në garë morën pjesë 5 kompani ku oferta më e ulët ishte ajo e Helius Systems me 1.2 milionë euro. Por AKSHI e skualifikoi duke shpallur fituese ofertën e kompanisë iKubInfo, që ishte gati 250 mijë euro më e shtrenjtë se ajo e Heliusit.

Kompania Helius e ankimoi vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik. Ky i fundit, në muajin shkurt të këtij viti, pasi shqyrtoi dosjen gjeti se AKSHI kishte shkelur ligjin duke e skualifikuar padrejtësisht ofertën më të ulët. KPP vendosi ta përmbysë fituesin e tenderit duke urdhëruar AKSHI-n, që të shpallte fitues Heliusin. Por çuditërisht, pasi është shpallur fituese, kompania Helius është tërhequr nga vazhdimi i procedurës. Një drejtues i kësaj kompanie i tha Kapitalit se për shkak të zgjatjes pafund të procedurës, kompania ka vendosur të tërhiqet duke mos paraqitur sigurimin e ofertës për të vazhduar me lidhjen e kontratës.

Kulisat korruptive me këtë tender e ekspozojnë sistemin informatik të Tatimeve përballë një risku flagrant, pasi situata e tij është konsideruar si emergjente nga Kontrolli i lartë i Shtetit. Ky sistem ka të lidhura një sërë funksionesh të rëndësishme përfshirë fiskalizimin.

Raporti i KLSH vlerësonte se ky sistem ishte në gjendje kritike. Konkretisht audituesit citonin se “u konstatua se pajisjet fizike të sistemit e-Taxation janë në një situatë tejet kritike, një sistem ky shumë i rëndësishëm për DPT, nisur nga veprimet operacionale që kryhen aty si nga ana e biznesit, administratës tatimore, ashtu dhe nga institucionet e tjera me të cilat janë ndërtuar ndërveprime me të dhëna të këtij sistemi”/ Kapitali.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne