Të paktën 35 persona janë vrarë kur një raketë amerikane goditi një ndërtesë ku strehoheshin migrantë afrikanë në qytetin verior të Jemenit, Saada, njoftuan Huthit e mbështetur nga Irani. Sipas lajmit të televizionit Al-Masirah i lidhur me Huthit, një raketë e lëshuar nga avionët luftarakë amerikanë goditi një vendstrehim me migrantë afrikanë në qytetin Saada.
Nga ndërtesa në fjalë janë nxjerrë trupat e pajetë të 35 personave ndërsa 30 të tjerë janë ende të zhdukur. Ekipet e mbrojtjes civile dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të Jemenit vazhduan përpjekjet e kërkim-shpëtimit në ndërtesë.
– Sulmet ajrore ndaj Jemenit
Huthit më 7 mars njoftuan se i kishin dhënë Izraelit katër ditë afat për të lejuar hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës, përndryshe ata do të rifillonin operacionet detare kundër Izraelit. bPresidenti i SHBA-së, Donald Trump në një deklaratë në platformën “Truth Social” më 15 mars tha se ai kishte urdhëruar ushtrinë të fillojë “sulme masive” kundër Huthive në Jemen.
SHBA-ja kreu më shumë se 1.000 sulme ajrore në Jemen pas 15 marsit, duke rezultuar në vdekjen e 217 personave, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe plagosjen e 436 jemenasve./AA