Shefi i Këshillit Evropian thekson rritjen e numrit të viktimave të civilëve nga sulmet izraelite në Gaza

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një fjalim në Konferencën e Ambasadorëve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel ka theksuar numrin në rritje të civilëve nga bombardimet e Izraelit në Gaza. “Izraeli është një mik dhe aleat. Është demokraci. Ne do të mbështesim gjithmonë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten në përputhje me ligjin ndërkombëtar, veçanërisht ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha Michel.

Megjithatë, Michel paralajmëroi se “duhet marrë çdo masë për t’u siguruar që civilët të mos jenë në shënjestër dhe kjo përfshin stafin ndërkombëtar dhe personelin mjekësor”. Ai theksoi se që nga fillimi i luftës më 7 tetor, 88 punonjës të ndihmës janë vrarë.

“Civilët duhet të mbrohen në çdo mënyrë. Çdo jetë civile ka rëndësi. Në këtë sfond, ne përsërisim thirrjen tonë për një pauzë humanitare në Gaza”, tha Michel. Duke folur gjithashtu në konferencë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se “tragjedia e shpalosur në Lindjen e Mesme është rezultat i një dështimi kolektiv politik dhe moral për të cilin populli izraelit dhe palestinez po paguajnë një çmim të lartë”.

“Strategjia ushtarake e Izraelit gjithashtu duhet t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë ligjin që synon të shmangë, në çdo masë të mundshme, vdekjet dhe vuajtjet e popullatës civile”, tha Borrell./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne