Shefi i politikës së jashtme të BE-së paralajmëron për “ndëshkim kolektiv”në Gaza me de-financimin e agjencisë së OKB-së

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se agjencia e OKB-së për refugjatët palestineze (UNRWA) nuk mund të ndalojë së funksionuari, përndryshe kjo, ka paralajmëruar ai, do të nënkuptonte ndëshkimin e qindra mijëra njerëzve në Gaza.

“Ne sigurisht do të flasim edhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe situatën e rëndë në Gaza”, u tha Borrell gazetarëve para takimit të liderëve të BE-së në Bruksel, ku pritet të diskutohen një sërë çështjesh, përfshirë mbështetja për Ukrainën dhe situata në Lindjen e Mesme.

Lidhur me hetimin që është nisur në lidhje me akuzat izraelite se disa persona nga stafi i UNRWA-së dyshohet se ishin përfshirë në sulmin ndërkufitar ndaj Izraelit nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, Borrell tha se hetimi duhet bërë.

“Por ne nuk mund të bëjmë një ndëshkim kolektiv për popullin palestinez”, u shpreh ai, duke shtuar se ai do të theksonte rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së UNRWA-së. “UNRWA-ja është diçka që nuk mund të ndalojë së funksionuari, përndryshe qindra mijëra njerëz do të ndëshkohen”, theksoi Borrell.

Ai theksoi se financimi nuk mund të ndalet për të mbajtur gjallë popullin palestinez, duke shtuar se duhet bërë hetim, “por një gjë është një gjë dhe një gjë tjetër është një gjë tjetër”. Duke u shprehur se BE-ja nuk ka vendosur të ndalojë financimin e UNRWA-së, Borrell theksoi se në këtë drejtim ai “po mbështet plotësisht” qëndrimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Të mërkurën, Guterres shprehu mbështetje për UNRWA-në, duke theksuar se ajo është “shtylla kurrizore” e të gjithë përgjigjes humanitare në Gaza. Pas akuzave të fundit të Tel Avivit se disa persona të stafit të UNRWA-së ishin përfshirë në sulmin ndërkufitar të grupit palestinez Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor, agjencia e OKB-së tha se ndërpreu kontratat me disa punonjës.

Disa vende, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Francën dhe Japoninë, kanë pezulluar fondet e tyre për UNRWA-në, e cila u formua në vitin 1949 për të ndihmuar refugjatët palestinezë në të gjithë Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Norvegjia, Spanja, Irlanda, Danimarka dhe Belgjika njoftuar se nuk do të pezullojnë fondet. Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës më 7 tetor, duke vrarë të paktën 26.900 palestinezë dhe duke plagosur 65.949 të tjerë.

Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne