Shkup, mbahet ligjëratë rreth religjionit dhe politikës në Ballkan

Në organizim të Institutit Ballkanik për Religjion dhe Kulturë dhe Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare në Maqedoninë e Veriut, sot në Shkup u mbajt ligjëratë në temë “Religjioni dhe politika në Ballkan: Përmbledhje e shkurtër historike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ligjëratën e mbajti Prof. Dr. Meic Pearse, profesor i historisë në Houghton College, New York.

Në deklaratën për mediat para fillimit të ligjëratës, Pearse tha se do të japë një përmbledhje të shkurtër të marrëdhënieve midis religjionit dhe politikës në Ballkan, duke shtuar se e gjithë historia nuk mund të tregohej me hollësi, sepse ka shumë materiale dhe është tepër e ndërlikuar.

“Ajo që dua të ofroj është një mënyrë e të menduarit për këto realitete që do të na ndihmojnë në kohën e tashme. Dhe të përpiqemi të heqim qafë disa nga gjërat që na sjellin në konflikt gjatë gjithë kohës, konflikte të cilat nuk mund t’i zgjidhim kurrë, nëse u përmbahemi kushteve të tanishme”, tha Pearse.

Duke theksuar se qëllimi i ligjëratës është që të sjell përvoja dhe ide të reja për publikun vendas përmes njerëzve me reputacion në skenën botërore, drejtori i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, Darijan Sotirovski, tha se në Ballkan gjithmonë ekzistonte një kryqëzim ndërmjet religjionit dhe politikës.

“Shpresoj se ky do të jetë një kontribut domethënës edhe për komunitetin akademik këtu, sepse para së gjithash po krahasojmë idetë tona dhe konkluzionet tona shkencore me ato nga jashtë. Ndërsa po flasim për diçka shumë interesante dhe gjithmonë të rëndësishme në Ballkan dhe në vendin tonë, që është kryqëzimi i religjionit dhe politikës, sepse historia na ka mësuar që njëra pa tjetrën në asnjë periudhë të historisë nuk kanë shkuar ndaras”, tha Sotirovski.

Drejtori i Institutit Ballkanik për Religjion dhe Kulturë, Kosta Milkov, theksoi se instituti është përpjekur për 10 vitet e fundit të kontribuojë për mirëqenie dhe mirëkuptim më të madh të të gjithë njerëzve që jetojnë në vendin tonë.

“Në këto 10 vitet e fundit që Instituti Ballkanik i Religjionit dhe Kulturës është përpjekur të bëjë, të kontribuojë për një mirëqenie, mirëkuptim dhe gjithëpërfshirje më të madhe të të gjithë njerëzve që jetojnë në vendin tonë, është shumë e rëndësishme të merren parasysh sepse duam të vazhdojmë në të ardhmen duke pasur njerëz të religjioneve të ndryshme nga prejardhje të ndryshme dhe mirëkuptime të ndryshme që njëkohësisht duan të jetojnë së bashku”, tha Milkov./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne