Shumica e spitaleve dhe qendrave shëndetësore në Gaza jashtë shërbimit një muaj pas fillimit të sulmeve

Lufta izraelite në Gaza po lë mbrapa një muaj, ndërsa shumica e spitaleve dhe qendrave të kujdesit shëndetësor në gjithë Gazën kanë mbetur jashtë shërbimit ose për shkak të bombardimeve të drejtpërdrejta, ose mungesës së karburantit dhe furnizimeve mjekësore.

Izraeli ka kryer të paktën 102 sulme ndaj kujdesit shëndetësor që nga shpërthimi i luftimeve në enklavën e rrethuar më 7 tetor, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

OBSH-ja tha se sulmet kanë rezultuar në 504 viktima, 459 të plagosur, dëmtime në 39 objekte dhe kanë prekur 31 autoambulanca.

Mbi gjysma e sulmeve ndaj sektorit shëndetësor dhe mbi gjysma e spitaleve të dëmtuara kanë qenë në qytetin e Gazës, tha agjencia shëndetësore e OKB-së, duke bërë thirrje për “mbrojtje aktive të civilëve dhe kujdesin shëndetësor”.

Sipas zyrës së medias në Gaza, vetëm 18 spitale funksionojnë pjesërisht dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira pasi kanë mbetur pa karburant dhe furnizime mjekësore.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi një muaj më parë.

Të paktën 10.022 palestinezë, duke përfshirë 4.104 fëmijë dhe 2.641 gra, janë vrarë që atëherë. Numri i të vdekurve izraelitë, ndërkohë, është gati 1.600, sipas shifrave zyrtare./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne