Si çiftet e divorcuara Besi-Xhensila dhe Meta-Kryemadhi përdorën gjyshet Ijen dhe Fatimen për pastrim parash dhe fshehje pasurie (dokumentet)

Aktori i humorit Besart Kallaku dhe politikani Ilir Meta (në burg për korrupsion dhe pastrim parash), kanë përdorur rrethin familjar për pastrimin parash dhe kamuflimin e pasurive me burim të dyshimtë dhe të pajustifikuar. Të njohur për miqësinë e ngushtë, në të cilën përfshinë edhe ish bashkëshortet Xhensila Myrtezaj dhe Monika Kryemadhi, Bes Kallaku ka përdorur emrin e gjyshe Ijes për bizneset e tij, ndërsa Ilir Meta rezulton e provuar nga SPAK se i ka ngarkuar vjehrrës së tij, gjyshe Fatimes, një thes me para në kurriz.

Rastësi apo jo, Meta dhe Kallaku u ndanë nga bashkëshortet respektive Monika Kryemadhi dhe Xhensila Myrtezaj, shoqe me njëra-tjetrën, në të njëjtën kohë. Po le të ndalemi te pasuria e dyshimtë. Dy vjet më parë, në Mëzez, Kashar, para se të ndahej me Xhensilën, Bes Kallaku ka ngritur një pasuri me vlerë mbi 2 milionë euro, ku përfshihen Kompleksi Sportiv Noku, si dhe një restorant, piceri, kënd lojërash etj., me emrin Burger Ija. Ky investim është ngritur me para të dyshimta.

Vetëm investimi për kuzhinën e këtij restoranti ka kushtuar mbi 400 mijë euro. Prapaskena ka të dhëna se përmes këtij biznesi, Bes Kallaku po pret fatura fiktive, duke rritur xhiron, me qëllim pastrimin e parave të pista.

Ky biznes mban emrin e gjyshes së Besart Kallakut, Ijes. Përdorimi i gjysheve për të kamufluar bizneset është një tipar kryesisht i grupeve kriminale dhe i trafikantëve të kokainës.

Shumë resorte, hotele luksoze, jahte, pallate, vila, resorante dhe lokale të krimit, në letra figurojnë në emrin e gjysheve 80-90-vjeçare.

Bes Kallaku nuk është një trafikant droge, por ka lidhje të forta me trafikantë kokaine dhe politikanë të korruptuar, sidomos me Ilir Metën, një nga politikanët më të korruptuar në Ballkan, me prova dhe fakte, me zë dhe figurë, pasuri, dëshmi, rrëfime dhe bllok pazaresh në dorë.

Shtëpi 1 milionë euro te Liqeni i Thatë

Besart Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj, para divorcit të bujshëm, kanë blerë një shtëpi me vlerë mbi 1 milionë euro pranë Kopshtit Zoologjik, një nga zonat e shtrenjta të Tiranës. Bëhet fjalë për katin e fundit të një pallati të ri, i përshtatur si shtëpi banimi.

Prapaskena mëson se vetëm arredimi i brendshëm ka kushtuar mbi 400 mijë euro, ndonëse në letra ka gjasa të jetë deklaruar shumë herë më pak.

Çifti dy vila miliona euro

Me finalizimin e divorcit të shumëpërfolur, Besi dhe Xhensila pritet të ndajnë edhe dy vila në komplekset e oligarkëve, një në afërsi të Tiranës dhe tjetrën në Gjirin e Lalzit.

Vlera e tyre është disa milionë euro. Burimi i parave si gjithnjë mbetet mister.

Edhe nëse tashmë i kanë kaluar në emra të tjerë, prokuroria mund të sekuestrojë mjaftueshëm pamje filmike ku Besi dhe Xhensila shfaqen në vilat e tyre.

Vetëm nga këto pamje duket arredimi, i cili deri diku tregon edhe vlerën e vilave.

Për shembull, për vilën e Bes Kallakut në Gjirin e Lalzit, ftojmë Prokurorinë e Tiranës të sekuestrojë dhe këqyrë pamjet e emisionit ‘E diela shqiptare – Për drekë me mua’ (22 prill 2018).

Nuk ka ndonjë ndryshim të madh me vilën e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit, e cila i shpëtoi SPAK-ut nga sekustrimi.

Klinika 2 milionë euro

Në maj të vitit 2021, Xhensila Myrtezaj ka hapur një klinikë dermoestetike te Liqeni i Thatë. Bëhet fjalë për klinikën Silabel, një investim me vlerë mbi 2 milionë euro.

Nuk dihet burimi i parave për këtë investim. Xhensila Myrtezaj është pronare e dy kompanive pothuajse fantazmë, pa aktivitet të dokumentuar dhe bilance, si këngëtare, këshillime për reklama dhe shitje produkte estetike, me afresë te Liqeni i Thatë.

Xhensila, palestër dhe disa shtëpi

Këngëtarja Xhensila Myrtezaj është pronare e një palestre në Sauk dhe e disa shtëpive në Tiranë. Bëhet fjalë një investim tjetër disa milionë euro me para që nuk u dihet burimi.

Zonja Myrtezaj demostron luksin edhe tek veshjet e shtrenjta. Aksesorët dhe veshjet e këngëtares kushtojnë mijëra euro.

Restoranti i peshkut

Besart Kallaku është bashkëpronar i një restoranti peshku në Tiranë, Loku & Arditi Fisherman, hapur në vitin 2017, një investim ky gjithashtu me burim të dyshimtë parash. Aktori i humori posedon edhe disa makina luksoze dhe apartamente, që të gjitha me burim të dyshimtë parash.

Ka disa elementë që ngrenë dyshime të forta për pastrim parash nga Xhensila Myrtezaj dhe Besart Kallaku para se të divorcoheshin, çuditërisht në të njëjtën kohë kur u divorcuan Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Së pari, çifti i showbizit nuk ka trashëguar pasuri, pasi vijnë nga dy familje jo të pasura, si shumica e shqiptarëve.

Së dyti, çifti i showbizit nuk ka një historik biznesi. Xhensila Myrtezaj dhe Besart Kallaku, dy bizneset kryesore kanë Silabel dhe Burger Ija, me aktivitet vetëm dy vitet e fundit.

Së treti, të ardhurat e ligjshme të ish çiftit të showbizit vijnë nga paga e Besart Kallakut si aktor dhe Xhensila Myrtezaj si këngëtare.

Së katërti, tre vitet e fundit, kanë investuar disa milionë euro në pasuri të paluajtshme, duke deklaruar blerjet dhe investimet në kontrata me kosto shumë të ulët në raport me vlerën reale të pronës.

Një pyetje e thjeshtë që buron nga deviza ndiq paranë: Cili është burimi i kësaj pasurie me vlerë mbi 10 milionë euro?

Sa janë të ardhurat e ligjshme, si kreditë, pagat, divident etj., në raport me vlerën e pasurive?

Pse fle gjumë Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave?

A do nisë Prokuroria hetimet kryesisht?

A duhet që Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj të hetohen nga SPAK-u, si lidhje e fortë e Ilir Metës?

Ja sa para cash futi me çanta Fatime Kryemadhi në banka, tërhiqeshin më pas nga Monika

Në dosjen e SPAK-ut për pastrimin e parave dhe korrupsionin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, një rol të rëndësishëm ka Fatime Kryemadhi, mamaja e Monika Kryemadhit, e cila dikur shiste qepë në Qytetin Studenti. Sipas dosjes, Meta dhe Monika kanë përdorur sistematikisht Fatime Kryemadhin për të futur në xhep paratë e aferave, për të fshehur pasuri dhe pastruar para. Sipas dosjes, Fatime Kryemadhi paraqitej me çanta me para cash në bankat e nivelit të dytë, para që më pas tërhiqeshin nga Monika Kryemadhi si të ishin të ligjshme.

Monika Kryemadhi mblidhte paratë e korrupsionit me pasuritë dhe paratë publike. Këto para i çonte cash te mamaja e saj Fatime Kryemadhi. Më pas, zonja Fatime i fuste në sistemin bankar pa asnjë dokument justifikues. Sipas dosjes së SPAK, në periudhën shkurt-dhjetor 2009, Fatime Kryemadhi ka hedhur cash në llogaritë e Monika Kryemadhit 138 mijë euro, shumë kjo që nuk është deklaruar nga Monika pasi nuk kishte se si t’a justifikonte.

Në vitin 2010, Fatime Kryemadhi ka futur qindra mijëra euro cash në sistemin bankar, për të mbuluar blerjen e pasurive të paluajtshme nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Në vitet në vijim kjo skemë pastrimi parash është intensifikuar. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mbushnin çantat me para korrupsioni, ia jepnin Fatimes dhe kjo e fundit i fuste në banka, të cilat nuk guxonin të raportonin në institucionet përkatëse. Gjithashtu, Monika Kryemadhi dhe vajza e saj rezulton se përdornin kartën e kreditit të Fatime Kryemadhit për shpenzime të ndryshme jashtë vendit, blerje, hotele etj.

Gjatë viteve 2020-2022, Meta dhe Kryemadhi kanë fshehur edhe 100 mijë euro në një llogari dyemërore të vajzës Bora Metaj dhe gjyshes së saj Fatime Kryemadhi.

Hetimet e SPAK-ut kanë provuar një akademi korrupsioni të ngritur nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Përdorën vdekjen e burrit të Fatimes për të pastruar para

Vjehrra e Ilir Metës, Fatime Kryemadhi ka përdorur dhe shfrytëzuar edhe vdekjen e bashkëshortit të saj, për të mbuluar pastrimin e parave të pista dhe justifikuar blerjen e një apartamenti në ish Bllok. Zonja Fatime, e cila shërbente si arkë apo bankomat i çiftit Meta-Kryemadhi, ka deklaruar se njerëzit i kishin hedhur 100 milionë lekë në ngushëllimin për humbjen e bashkëshortit.

Nga të ardhurat e qirasë dhe nga të ardhurat nga puna e saj, Fatimja kishte blerë edhe një apartament 1+1 në vendin e quajtur Dolce Vita në Durrës. Këtë apartament më vonë e
kishte shitur, por nuk mbante mend as çmimin e blerjes dhe as atë të shitjes. Në lidhje me apartamentet që ajo kishte blerë nga kompania Bjorn shpk, Fatimja deklaron se i kishte blerë këto apartamente me paratë që njerëzit i kishin hedhur për ngushëllim kur i vdiq bashkëshorti. Fatime Kryemadhi deklaron nuk mbante mend se sa lekë i kishte blerë apartamentet por mbante mend se likujdimin e kishte bërë nëpërmjet bankës. Fatime Kryemadhi deklaron se nga paratë që njerzit i kishin dhënë për ngushëllim ishin mbledhur rreth 100 milionë lekë të vjetra, dhe apartamentet që bleu me këto të ardhura i shkëmbeu më vonë me apartamentin ku banonte Lefteri Haxhiu, te pallati i Fratarit në ish Bllok, ku jetonte me Monikën. E pyetur se çfarë toke i kishte shitur shtetasit Gentjan Sula, për vlerën 246.000 USD, fakt ky i deklaruar në bankën ku kishte depozituar paratë, Fatime…
“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Sipas dosjes, Meta dhe Monika kanë përdorur Fatime Kryemadhin për të fshehur pasuri dhe pastruar para.

Konkretisht, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, gjatë viteve 2009-2010, kanë blerë një apartment dublex në ish Bllok me vlerë 645 mijë euro, kamufluar me një kredi 335 mijë euro.

Fillimisht, Fatime Kryemadhi ka derdhur cash në bankë 310 mijë euro dhe më pas ka shlyer kredinë 335 mijë euro po me para cash. Shuma 645 mijë euro besohet se janë para korrupsioni të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”,  i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare“, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur Fatime Kryemadhin edhe për të mbuluar shpenzimet për shërbime estetike, duke paguar në një rast 100 mijë euro nga llogaria e saj.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K.  Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal”.

Fatime Kryemadhi: SPAK të mos merret me mua se jam e vjetër

Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, është paraqitur disa herë në SPAK. Pas daljes nga SPAK herët e fundit, Fatime Kryemadhi foli për gazetarët, ku tha se SPAK në vend të merret me personat që shesin tokat e shtetit merret me një plakë 80 vjeçe, e cila ka një shtëpi si gjithë të tjerët.

Hetohem meqë jam person i paprekshëm unë se me personat e paprekshëm po hetohet. Për çfarë shpjegime të jap se kam shtëpinë time? Jam 80 vjeç, nuk kam të drejtë blej një shtëpi unë? Ju nuk keni shtëpi? Nuk merren me ata që shesin copa të shtetit, të popullit, dhe merren  me mua një plakë. Çfarë deklarate të japë unë?”, tha ajo./prapaskena.com

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne