SPAK sapo përfundoi 34 kontrollet te njerëz te besuar të zv/kryeministres Belinda Balluku, në kuadër të hetimeve që po zhvillon për numrin 2 të qeverisë.
Në fokus të kontrolleve ka qenë Sindi Dushku, shefe kabineti e Ballukut. Kontrolle janë ushtruar edhe te bizneset dhe banesat e biznesmenëve Ilir Shtufi e Rrok Gjoka. Oficerët e BKH dhe prokurorët e SPAK kanë ushtruar kontrolle edhe te zyrtarë të ARRSH dhe KESH.
hetimet për Ballukun po intensifikohen pasi SPAK do të paraqesë në Kuvend prova të reja për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv/kryeministres.
Më herët janë kryer kontrolle në banesën e Viola Haxhiademi, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it, banesën e Gentian Gjyli ish drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, si edhe në banesën e Erald Elezi, ish drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie. Kontrollet janë bërë për të vijuar procesin e hetimit për dosjen hetimore ku zyrtari më i lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku. SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë, por mazhoranca socialiste refuzoi dhënien e autorizimit, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të bëhet asnjë hap pa u shprehur Gjykata Kushtetuese në 22 janar./BW















