Sulm i përbashkët i regjimit sionist dhe Amerikës ndaj Jemenit/Ansarullah: Do të përgjigjemi!

Avionë luftarakë amerikanë dhe të regjimit sionist bombarduan të hënën në mbrëmje portin Hodeidah në perëndim të Jemenit. Në vazhdim të agresionit të huaj kundër territorit të Jemenit, burime jemenase njoftuan të hënën në mbrëmje për një sulm të përbashkët ushtarak amerikan dhe izraelit në portin e rëndësishëm të qytetit Hodeidah në perëndim të Jemenit. Sipas Pars Today, në këtë krim u vranë të paktën 2 civilë dhe u plagosën 42 të tjerë.

Zëvendëskryetari i Departamentit të Medias në Lëvizjen Ansarullah të Jemenit e dënoi këtë sulm dhe deklaroi se jemenasit patjetër do t’i përgjigjen këtij krimi. Nasreddin Amer, zëvendëskryetari i Departamentit të Medias në Lëvizjes jemenase Ansarullah, në lidhje me këtë tha: “Ne po i përgjigjemi bombardimeve të regjimit sionist dhe nuk do ta heqim bllokadën detare dhe ajrore, por do të vazhdojmë operacionet tona ushtarake në mbështetje të Rripit të Gazës”.

Mohammed Al-Bakhiti, anëtar i Këshillit Politik të Lëvizjes Ansarullah të Jemenit, deklaroi gjithashtu: “Operacionet e jemenasve në mbrojtje të Gazës do të intensifikohen, edhe nëse çmimi do të jetë i lartë.”

Ndërkohë, Ismail Baghaei, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, të hënën në mbrëmje, duke dënuar agresionin ushtarak amerikan dhe të regjimit sionist kundër portit të Hodeidah dhe infrastrukturës tjetër jemenase, e përshkroi këtë sulm si një krim të hapur dhe një shkelje të rëndë të parimeve dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Lëvizja Hezbollah e Libanit dhe Hamas e Xhihadi Islamik të Palestinës gjithashtu dënuan fuqishëm në deklarata të veçanta agresionin e regjimit sionist dhe atë amerikan kundër Jemenit.

Nëpërmjet një deklarate, Hezbollahu i Libanit vlerësoi udhëheqjen e guximshme të Jemenit dhe deklaroi solidaritetin e plotë me popullin e këtij vendi dhe u bëri thirrje të gjitha qeverive të lira dhe popujve syçelë që ta dënojnë këtë aggression, si dhe i bëri thirrje botës arabe dhe asaj islame të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër teprimeve të Amerikës dhe të regjimit sionist.

Lëvizja e Rezistencës Islamike Palestineze, Hamas, njoftoi gjithashtu në një deklaratë se regjimi sionist, duke sulmuar Jemenin, po kërkon të meremetojë imazhin e vet të dëmtuar.

Lëvizja e Xhihadit Islamik të Palestinës njoftoi gjithashtu në një deklaratë se sulmet e së hënës mbrëma në portin e Hodeida-s të Jemenit janë shenjë e shuplakës së dhimbshme që sionistët kanë marrë nga populli i Jemenit.

Një raport i kanalit televiziv Channel 12 të regjimit sionist tregon se avionët luftarakë të këtij regjimi hodhën 48 bomba mbi popullin jemenas gjatë sulmit të mbrëmjes së të hënës.

Gazeta sioniste “Israel HaYom” citoi gjithashtu një burim sigurie izraelite të thoshte: “Përveç sulmeve amerikane, 30 avionë sulmuan portin e Hodeidah-s”. Sipas këtij mediumi sionist, sulmi ndaj Jemenit u krye në 8 faza./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne