Izraeli ka shkatërruar 79 për qind të xhamive në Rripin e Gazës dhe ka rrënuar plotësisht tri kisha, tha zëdhënësi i Ministrisë së Vakëfeve të enklavës për Anadolu.
Ikrami Al-Mudallal tha se forcat izraelite kanë vrarë gjithashtu 255 klerikë dhe imamë të lidhur me ministrinë dhe kanë arrestuar 26 të tjerë.
“Synimi i xhamive dhe vendeve të adhurimit nga forcat okupuese është një shkelje e qartë e të gjitha shenjtërive, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit të të drejtave të njeriut”, tha ai.
Ushtria izraelite ka synuar gjithashtu 32 nga 60 varrezat e Gazës, duke shkatërruar plotësisht 14 dhe duke dëmtuar pjesërisht 18, shtoi Al-Mudallal.
– Vendet historike të shkatërruara
Për shekuj, Gaza ka qenë një portë midis Azisë dhe Afrikës, shtëpia e një historie të larmishme qytetërimesh, kulturash dhe fesh.
Që kur Izraeli nisi sulmet e tij më 7 tetor 2023, shumë nga xhamitë, tempujt dhe kishat historike të enklavës janë kthyer në rrënoja.
Midis tyre është Xhamia e Madhe Omari, xhamia më e madhe dhe më e vjetër në Gaza. Minarja e xhamisë 1.400-vjeçare u shkatërrua dhe pjesë të strukturës u dëmtuan rëndë.
Xhamitë e tjera të dëmtuara nga sulmet përfshijnë Xhaminë Sayed al-Hashim dhe Xhaminë Katib al-Wilaya.
Në shënjestër janë vënë edhe kishat. Kisha e Shën Porfirit, kisha më e vjetër në Gaza dhe e treta më e vjetra në botë, pësoi dëmtime, ashtu si edhe Kisha e Familjes së Shenjtë.
Kisha Baptiste Ahli, e vendosur brenda Spitalit Baptist Al-Ahli, u godit gjithashtu. Një sulm izraelit në spital dhe kishë më 17 tetor vrau rreth 500 njerëz.
Më 19 janar hyri në fuqi një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, e cila fillimisht është planifikuar të zgjasë 42 ditë.
Lufta gjenocidale e Izraelit ka vrarë më shumë se 47.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 111.000 që nga 7 tetori 2023.
Sulmet izraelite në Gaza kanë lënë më shumë se 11,000 njerëz të zhdukur, shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë./AA