Një zhvillim i ri ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku Myftinia Shkodër ka ndërmarrë vendimin për ndalimin e punimeve të Bashkisë Shkodër në truallin vakëf pranë Xhamisë Parrucë. Sipas njoftimit zyrtar, punimet po kryheshin në pronë të komunitetit mysliman, pa marrë pëlqimin e institucioneve fetare përkatëse.
Në reagimin e saj publik, Myftinia thekson:
“Myftinia Shkodër njofton se ndalon vazhdimin e punimeve të projektit të Bashkisë Shkodër, të cilat po zhvilloheshin në truallin vakëf të saj, pranë Xhamisë Parrucë.”
Ky vendim vjen pas një ngjarjeje që ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin lokal, pasi është larguar një tabelë që përmbante një thënie të Profetit Muhamed lidhur me ndëshkimin e atyre që uzurpojnë pronat pa të drejtë.
Ndërkohë, mbi këtë situatë ka reaguar edhe gazetari Gjergj Thanasi, i cili ka bërë një postim të ashpër në rrjetet sociale, duke theksuar se “myslimanët shqiptarë po zgjohen nga gjumi” dhe se “nuk i përmban më dot Baba Jari, grevthyesi i punësuar nga çifti Edvin & Joel”.
Thanasi ka bërë gjithashtu thirrje për bashkim ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve shkodranë, duke e konsideruar situatën si një kërcënim të ri ndaj pronave të komuniteteve fetare.
“Pas vjedhjes së tokave të vakëfit, i vjen radha vjedhjes së pronave të kishës katolike. Shkodranët nuk mund të presin më gjë tjetër veç pengesash nga kuislingët e KMSH-së dhe nga opozitarët në parlament. I zoti e nxjerr gomarin nga balta e Ripjelljes,” – shkruan ndër të tjera Thanasi.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje çështjen e pronave të vakëfeve dhe pronave të komuniteteve fetare, një temë që prej kohësh ka qenë burim tensioni mes institucioneve lokale dhe përfaqësive fetare në vend./gazetaimpakt



















