TRAKTATI I PAQES MIDIS GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT DHE SULLTAN MEHMETIT TË DYTË

Nga Xhafer Sadiku

Pas betejës së pranverës 1459, Sulltan Mehmeti i Dytë i ofroi për të dytën herë paqen Gjergj Kastriotit. Këtë herë ai pranoi pa humbur kohë, por me një kusht: që osmanët t’i kthenin Beratin dhe Sfetigradin. Përpara se të fillonte bisedimet me osmanët, Gjergj Kastrioti shpejtoi të vinte në dijeni Papën, i cili, nga njëra anë e mirëpriste ndihmën e Skënderbeut për Aragonët, nga ana tjetër ishte kundër një paqe me osmanët.

Skënderbeu dërgoi në Romë Muzakën, për t’i kërkuar leje Papës. Kërkesa e Skënderbeut nuk i pëlqeu Papës, i cili, në 29 qershor 1460, i përgjigjej se nuk ishte e ligjshme leja për të bërë paqe me osmanët. Ndërkohë, Sulltani i trembej një kryqëzate më të madhe që mund të organizonte Papa. Ai iu rikthye rrugës diplomatike e i ofroi Skënderbeut një traktat paqe me interes për këtë të fundit.
Oferta e paqes këtë radhë u pranua menjëherë, pa kushte dhe pa e paralajmëruar Papën. Në prill 1463, Skënderbeu lidhi traktatin e paqes me Sulltan Mehmetin II, me afat dhjetë vjet.
Një nga shkaqet që ndikuan në këtë ngjarje të papritur ishte partia e paqes, e kryesuar nga Tanush Topia dhe nxitja e princave të Lidhjes, që e detyruan Skënderbeun të pranonte paqen me Sulltanin. Partia e paqes në Shqipëri ishte e fortë, e dora-dorës bëhej edhe më e fortë. Nga ana tjetër, edhe Papa, nga indiferenca e shteteve evropiane, ishte i detyruar të fitonte kohë për kryqëzatën. Traktatin e nënshkruar me Skënderbeun, osmanët e zbatonin me besnikëri. Disa banda grabitësish në Shqipëri, ishin ndëshkuar ashpër nga Mehmeti i Dytë, i cili i ktheu Skënderbeut tërë vlerën e grabitur prej tyre.
Për të informuar Papën, Skënderbeu dërgoi në Romë Tanush Topinë. Lajmi që kishte mbërritur tek Papa, kishte ngjallur zemërimin e tij, pasi i prishte planet për kryqëzatën. Paqja e shqetësoi edhe Republikën e Venedikut, e cila ishte e interesuar për një luftë kundër osmanëve, që të dëmtohej flota e tyre ushtarake.
Në një klimë dekurajuese arriti në Romë Tanush Topia. Ekspozeja e tij e hollë, me të cilën tentoi të justifikonte vendimin e Lidhjes shqiptare, u përball me kundërshtimin e ashpër të Papës. Papa e paraqiti situatën në Ballkan shumë të rëndë, nga e cila do të kishte pasoja gjithë Evropa. Ai e bindi Topinë, i cili e siguroi se do të mbështeste Kastriotin, për të prishur paqen me Sulltanin.
Piu II ngarkoi Pal Engjëllin, arqipeshkv i Durrësit, të nxiste Skënderbeun të merrte pjesë në luftën që kishin shpallur perëndimorët.

Fjala e arqipeshkvit në mbështetje të Skënderbeut bëri efekt dhe koalicioni antivenecian u shkri shpejt, aq sa edhe kundërshtari më i madh, Balsha, u bind për një afrim me venecianët. Atëherë, Skënderbeu i pati duart të lira dhe dërgoi në Venecia Andrea Snatikon, abat i Shën Mërisë së Rotezios, për të biseduar në fshehtësi.
Venecia, nga ana e saj, e nxitur nga ngjarjet dhe nga Papa, shpejtoi të lehtësonte misionin e abatit dhe më 20 gusht 1463 arriti aleancën me Skënderbenë.

Aleanca me Venecian u përfundua në fshehtësi të madhe, gjë kjo që do t’i krijonte armiq të rinj Kastriotit. Por, Arqipeshkvi i Durrësit, i thirri përsëri dhe i pajtoi palët. Me firmosjen e traktatit, Venecia detyrohej të dërgonte me ngut në Shqipëri kontingjentet e para me trupa dhe ndihma në para e materiale, ndërsa Skënderbeu, më 27 nëntor 1463, prishi traktatin e paqes me Sulltanin.

Pas prishjes së traktatit me Sulltanin, Skënderbeu filloi luftën pa deklaruar, duke rrëmbyer në provincat afër zotërimeve të tij, mijëra krerë gjedhë dhe bagëti. Sulltan Mehmeti i Dytë, megjithatë, kërkoi të vendosnin paqen, por Skënderbeu iu përgjigj se atij nuk i duhej asnjë traktat, nëse Mehmeti nuk hiqte dorë në fillim nga kulti i profetit të tij. (Marrë me shkurtime nga libri “Midis Perandorive dhe Religjioneve)./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne