Tronditen pozitat e Samir Manes, serveri i kompanisë zbardh transaksionet e dyshimta, nga afera me Arben Ahmetaj…

Sipas dosjes së SPAK, më 8 mars 2023, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar për të ushtruar kontroll në vilën me numër me nr.73 në kompeksin Green Coast në Palasë. Hetuesit kanë marrë kontakt me administratorin Martin Gega. Ky i fundit u ka vendosur në dispozicion punonjësen Klaudia Sinanaj. Nga ana e saj Klaudia Sinanaj u ka vendosur në dispozicion hetuesve një dokument që tregonte se vila 73 ishte në pronësi të kompanisë ‘Inerte Express’, me pronar shtetasin Mond Bega.

Ndërkohë, nga ana tjetër, punonjësja pranë Green Coast, Ervisa Maçovila, u ka vënë në dispozicion hetuesve një dokument që tregonte se vila nr. 73 ishte në pronësi të Albina Mançka, ish bashkëshortja e Arben Ahmetajt. Meqenëse kishte dy dokumenta të ndryshme për të njëjtën vilë, hetuesit u kërkojnë dy punonjësve Klaudia Sinanaj dhe Ervisa Maçovila që të mos bëjnë asnjë veprim në kompjutërat e tyre, pasi do të kryheshin veprime hetimore. Punonjësja e Green Coast, Klaudoia Sinanaj i ka sugjeruar në panik koleges së saj, Ervisës, që të fshijë nga kompjuteri, dokumentin që tregonte se vila ishte e Albina Mançkës, duke penguar hetimet dhe me qëllim për të shpëtuar Albina Mançkën dhe Arben Ahmetajn nga përgjegjësia penale. Gjithashtu, punonjësja Erisa Maçovila, ka fikur kompjuterin, duke u thënë se kompjuterin e kishte privat. SPAK  ka marrë në pyetje edhe administratorin Martin Gega, i cili ka gënjyer para hetuesve duke fshehur pronarin e vërtetë, Albina Mançka, dhe nxjerr në skenë Mond Begën. Nga kqyrja e telefonit të Martin Gegës, janë zbuluar kontaktet e tij me Albina Mançkën, si pronare e vilës 73.

Me këto lëvizje, punonjësit e Green Coast implikojnë biznesmenin Samir Mane, pasi këta punonjës nuk kishin ndonjë arsye për të zhdukur prova që tregonin se Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj ishin pronarë të vilës 73, që sipas dosjes së SPAK, është krijuar me para korrupsioni. Kompanitë e Samir Manes, kanë bërë kontrata fiktive edhe për të mbuluar vilën tjetër të Arben Ahmetajt në Valamar. TË gjitha këto prova që oligarku mendoi se u zhdukën janë dokumentuar nga SPAK. Madje siç e thamë edhe më lart, serveri që u sekuestrua ka nxjerrë të dhëna korruptive edhe më të llahtarshme.

Po ashtu afera tjetër që mund të lëkundë pozitat e tij është Porti i Vlorës, i cili është kallëzuar në SPAK nga “Nisma Thurje”. Në dosje po hetohen zyrtarët e lartë publik të përfshirë në procedurat e miratimit të koncesionit të portit Marina Vlorës, si dhe të procedurave për dhënien e statusit investitor strategjik për Marina di Valona, duke përfituar transferimin e 57 mijë metrave katrorë truall publik në zonën pranë portit të Vlorës.

Nisma Thurje ngriti dyshime se procedurat e dhënies së koncesionit për portin Marina Vlorë nga ana e Belinda Ballukut, si dhe dhënia e 57 mijë metra katrorë truall në pronësi publike janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke shkelur barazinë në tendera dhe ka dëmtuar interesat e shtetit.

Edhe pse në këtë port janë bërë investime prej 12.3 milionë eurosh për rehabilitimin e terminalit të pasagjerëve dhe dy moleve, qeveria Rama vendosi ta zhvendosë portin në një zonë tjetër, duke nxitur kompanitë që të hidhnin sytë drejt këtij investimi. Me anë të një procesi konkurrimi, porti i Vlorës iu dha me koncesion katër kompanive dhe rreth 57 mijë metra katrorë tokë në vlerën 1 euro. Qeveria shqiptare kësaj here nuk nënshkruan thjesht një koncesion abuziv, por edhe fal një pjesë të konsiderueshme nën justifikimin e “investitorit strategjik”. Sipas një logjike aspak zhvillimore, këto kompani parashikojnë të ndërtojnë apartamente dhe hotele, me kushtin e vetëm që të punësojnë 100 punonjës.

“Shqipëria 1 euro” është shitur si politikë lehtësuese për biznese që krijojnë rritje ekonomike, ndërkohë këto kompani kanë si qëllim vetëm ndërtimin dhe shitjen. Këto ndërtime jo vetëm që janë elementë të një modeli të paqëndrueshëm zhvillimi, por nga ana tjetër buxheti i shtetit nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre, sepse lekët shkojnë në xhepat e oligarkëve. Për t’u theksuar është edhe fakti që, pas përfundimit të procesit të prokurimit për dhënien me koncesion të portit, dy nga kompanitë hoqën dorë nga aksionet e tyre dhe në qershor të vitit 2022 në lojë hyri Balfin Group. Ky ndryshim i aksionarëve dhe shitja e aksioneve me vlera minimale ngjallin dyshime të arsyeshme se proceset janë fiktive dhe spekuluese. Dy kompanitë e mbetura, në pronësi të Samir Manes dhe Geront Çelës, po ndërtojnë marinën turistike dhe një kompleks luksoz rezidencial të quajtur “Vlora Marina”.

Sipas kontratës, këto kompani do të kenë marrëdhënie kontraktuale qiramarrjeje me shtetin shqiptar për 20 vjet dhe do të investojnë 9.8 miliardë lekë mbi këtë truall. Megjithatë, ortakët e kompanisë marrin përsipër vetëm një pjesë të investimit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga blerësit e apartamenteve dhe kredia bankare. Këto kompani kanë filluar të shesin apartamente nga trualli, i cili vazhdon të jetë pronë shtetërore e dhënë me qira. Mënyra se si janë dhënë procedurat në këtë koncesion që po hetohen nga SPAK rrezikojnë të fundosin oligarkun. Samir Mane në këtë mes rrezikon të marrë në qafë dhe ministrat e qeverisë “Rama” që i dhanë në tavë gjithë lehtësirat me procedurat e dyshimta.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne