Turqi: Ndërprerja e ushqimit, energjisë dhe ndihmave në Gaza, shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar

Të gjitha palët duhet të ushtrojnë përmbajtje dhe arsyetim të shëndoshë në konfliktin Izrael-Palestinë për të shmangur “pasoja të pariparueshme”, tha parlamenti turk në një deklaratë të përbashkët.

“Është një kërkesë e ligjit, ndërgjegjes dhe njerëzimit për të mbrojtur civilët në të gjitha rrethanat dhe për të shmangur praktikat që përbëjnë dënim kolektiv”, thuhet në deklaratën e cila erdhi pas një debati të përgjithshëm mbi konfliktin.

“Ftojmë të gjitha palët të ushtrojnë moderim dhe arsyetim të shëndoshë në kuadrin e vizionit tonë për paqe-siguri-stabilitet në mënyrë që ky tension të mos çojë në pasoja të pariparueshme”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë ftohen Palestina dhe Izraeli që të fillojnë negociatat pa vonesa të mëtejshme për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme mbi bazën e një zgjidhjeje me dy shtete.

Parlamenti turk i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të marrë përgjegjësinë për t’i sjellë palët në një zgjidhje të drejtë.

Ankaraja mbështet një zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë, duke përfshirë krijimin e një shteti palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Deklarata dënon sulmet në Gaza që synojnë drejtpërdrejt civilët, duke theksuar: “Ndërprerja e ushqimit, energjisë dhe ndihmave humanitare të ofruara për Gazën, ku jetojnë dy milionë njerëz dhe që tashmë është kthyer në një burg të hapur me një bllokadë 16-vjeçare, si dhe të shtënat pa dallim ndaj vendbanimeve civile, janë një shkelje e qartë dhe e rëndë e ligjit ndërkombëtar. Krijimi i një hierarkie mes civilëve është një tjetër manifestim i racizmit dhe diskriminimit”.

Duke folur në debatin e përgjithshëm, kryetari i parlamentit Numan Kurtulmuş tha se Türkiye është përpjekur të japë një “kontribut të madh” për të zgjidhur tensionet midis Izraelit dhe Palestinës në mënyrë që “të shmangen viktimat civile dhe gjakderdhja e njerëzve të pafajshëm”.

Më herët, presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se Türkiye është e gatshme të ndërmarrë çdo lloj roli ndërmjetësues, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve.

Forcat izraelite kanë nisur një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, si përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm i shumëanshëm duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se ofensiva ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Si përgjigje, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigja e Izraelit është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një bllokadë paralizuese që nga viti 2007.

Më shumë se 2.700 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit të shtunën, duke përfshirë mbi 1.400 palestinezë dhe 1.300 izraelitë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne