Ushtria izraelite u bën thirrje palestinezëve që të evakuojnë më shumë zona në Rripin e Gazës

Ushtria izraelite ka lëshuar më shumë urdhra evakuimi për zona të ndryshme në Rripin e Gazës së rrethuar, ku po zhvillon një luftë që nga tetori i vitit të kaluar. Zëdhënësi i ushtrisë, Avichay Adraee, në një deklaratë lëshoi një “thirrje për të gjithë banorët dhe të zhvendosurit në zonën Jabalia dhe lagjet Al-Salam, Al-Nour, Tal Al-Zaatar, Beit Lahia, Kampi Jabalia, Ezbet Mlin, Al-Rawda, Al-Nuzha, Al-Jarn, Al-Nahda dhe Al-Zuhour” në Rripin e Gazës veriore duke kërkuar që ata “të shkojnë menjëherë në strehimoret në perëndim të Qytetit Gaza”.

Ushtria gjithashtu kërkoi evakuimin e disa lagjeve në pjesën lindore të qytetit Rafah, respektivisht në qytetin jugor të enklavës ku Izraeli ka zgjeruar operacionet. Më parë, ushtria izraelite kishte urdhëruar 100 mijë banorë palestinezë të zhvendosur në Rafah që të evakuohen në Al-Mawasi përpara nisjes së një pushtimi.

Disa vende e kanë paralajmëruar Izraelin kundër kryerjes së një operacioni ushtarak në Rafah, ku po strehohen të paktën 1.4 milionë palestinezë të zhvendosur. Izraeli ka vrarë të paktën 35.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 78.600 të tjerë në ofensivën brutale ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.

Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet” se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne