VALLË  VETËM REPUBLIKA E MAQEDONISË VERIORE NA QENKA NJË SHTET HIBRID, SIÇ VLERËSON PROFESOR SAVASH VELIU

Shkruan: Salim Kadri Kerimi, historian – diplomat në pension

Në artikullin e tij, me titull: “Dimensioni politik i reformave në arsimin maqedonas”, që para ca ditëve u publikua në Portalin e kësaj gazete (Gazeta Impakt), profesori i nderuar Savash Veliu, duke folur për nismën e paradokohshme të Ministrisë për arsim dhe shkencë, të Republikës të Maqedonisë Veriore, për të reformuarë disa segmente të sistemin arsimor të shtetit në fjalë, mes tjerash, Maqedoninë Veriore e ka vlerësuar “si kreaturë titoiste”, “si shtet dhe komb hibrid”, “si kreaturë falco”, e cila një ditë do të zhduket nga harta e gjeografisë, siç është shprehur vetë ai, “Kako doshllo tako otishllo!!!” (“Si ka ardhur ashtu ka shkuarë”).

Vallë vlerësimet e më sipërme të z.S.Veliu janë të vërteta/ të drejta? Ose më saktë, vallë vetëm Republika e Maqedonisë dhe kombi maqedonas na qenkan “kretura hibride”? Në se gjykojmë sipas domethënjes të nocionit “hibrid”/ “hibride”, atëhere, sipas meje, jo vetëm Maqedonija Veriore dhe kombi maqedonas janë hibride. Duke u nisur nga faktin se çdo shtet në regjionin e Gadishullit Ballkanik, dhe më gjerë në Europë dhe botë, në një ose mënyrë tjetër, janë “krijesa”/ kreatura hibride (përzjerje etnike përbrenda shtetit dhe vet popujve që e përbëjnë shtetin përkatës), kufijt e të cilëve, në të kaluarën historike dhe sot, për fat të keq, janë vendosur/ vendosen duke përdorur arsyen e forcës,  shteti që sot quhet Republika e Mqedonisë Veriore, sipas mendimit tim, është aq “hibrid”, sa edhe të gjitha shtetet e tjera të Regjionit Ballkanik, dhe të botës në tërësi.

Siç dihet, për shkaqe objektive, kombi maqedonas, së bashku me bashkëqytetarët e tjerë të tij, ndër kombet e fundit në Ballkan arijti të krijojë shtetin e vet. Dallimi i vetëm mes shtetformësisë të kombit maqedonas dhe kombeve të tjera të Ballkanit, dhe më gjerë, sipas mendimit tim, është koha – data e formimit e shteteve të kombëve përkatëse. Siç dihet, pjesa dërmuese e popullit maqedonas, së bashku me shqiptarët, turqit, vllehët, romët, serbët, e tj., shtetin e tyre e formuan më 02 gusht 1944, pas një lufte të ashpër katërvjeçare me okupatorët nazi-fashisht, gjatë së cilës, mes tjerash, rreth 24.000 frymë (luftëtarë dhe civilë) e dhanë jetën e tyre, për liri dhe pamvarsi. Në nivelin e Jugosllavisë, gjatë LNÇ (1941-1945), për ideale të njëjta, jetën e tyre e humbën rreth 1,8 mil. qytetarë, të përkatsive të ndryshme nacionale/etnike.

Pra, Maqedonasve dhe qytetarëve të tjerë të kësaj pjese të Maqedonisë, shtetin e tyre nuk jua dha/ dhuroj askush në tavolinë si dhuratë (as J.B.Tito e as J.V.Stalini, ose ndokush tjetër), por ai ishte i fituarë me gjak. Kuptohet, se edhe në rastin e Maqedonisë, përveç luftës dhe përpjekjeve diplomatike, në krijimin e tij, në fillim si republikë e Federatës Jugosllave, e më pas (në 1991) si shtet i pamvarur, rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe fuqitë e mëdha dhe konsteltat të atëhershme gjeostrategjike dhe gjeopolitike, në këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës në tërësi. Vall i nderuari S.Veliu mund të na thotë, çfar dallimi tjetëtër ka patur në formimin e shteteve të tjera Ballkanike dhe më gjerë? Si na qenkan formuarë dhe çfarë përbërje kanë ato?

Njëkohësisht, vlerësimi i S.Veliut se kombi maqedonas qenka “komb hibrid”, mendoj se është i drejtë, mirpo, siç e theksova edhe më lartë, jo vetëm kombi maqedonas por çdo komb në botë është/ janë njëfarë kreatura hibride. Siç dihet, kombi maqedonas i takon grupit të popujve të sllavëve të jugut, paraardhësit e të cilëve, në fund të shekullit të VI dhe fillim të shekullit të VII, janë vendosur në pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik, dhe që nga ajo kohë, pa ndërpreje pasardhësit e tyre jetojnë në të njëjtin teritor. Pjesa dërmuese e popullit maqedonas, në përbërjen e të cilit, në të kaluarën, janë “integruarë” edhe një pjesë e pjesëtarëve të kombeve të tjera Ballkanike, jetojnë në Republikën e Maqedonisë Veriore, kurse pjesa tjetër jeton në disa shtete fqinje (Bullgari, Greqi, Serbi, Shqipëri, e tj.) dhe në dijasporë (Australi, Kanada dhe në disa shtete europjane).

Gjuha maqedonase, e ngjajshme me gjuhët e tjera sllave, e sidomos me bullgarishten dhe serbishten, që bën pjesë në familjen e gjuhëve indoeuropjane, kodifikimin e saj zyrtar e ka bërë në 02 gusht 1944, dhe siç çdo gjuhë tjetër, gëzon status të barabartë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe në OKB.

Sa i takon historiografisë maqedonase, që S.Veliua me të drejtë e ka përfolur në artikullin e tij në fjalë, me këtë rast, atë dhe lexuesit e këtij artikulli, dua ti rikujtoj se jo vetëm historiografija maqedonase, por historiografitë e shumë popujve, posaçërisht të shteteve të popujve Ballkanike, janë përplot me të pavërteta, me gjysmë të vërteta dhe sajesa të ndryshme. Pra, në këtë aspekt, për fat të keq, as historiografija maqedonase nuk bën përjashtim. Mirpo duke e trajtuarë këtë çështje, nuk është e drejtë të fajsohen/ të kritikohen, në mënyrë të izoluar, vetëm historijanët maqedonas, mendoj unë. Disa vërejtje të drejta/ me vend që i ka bërë S.Veliu, në lidhje me ca të dhëna për shqiptarët e Maqedonisë, që janë të publikuara, në tekste të ndryshme shkollore, përfshirë edhe në Librin e historisë për klasën e dytë gjimnaz, së fundi, me sa më kujtohet, i ribotuarë në vitin 2016, janë të njëjta me të dhënat që janë të publikuara në kapitullin “Shqiptarët në Maqedoni”, të “Enciklopedisë Maqedonase” („Македонска енциклопедија“), e cila me kërkesë të drejtë/ të arsyeshme, para së gjithash të disa individëve dhe subjekteve politike shqiptare, Akademija e shkencave dhe arteve e Maqedonisë (МАНУ), në vitin 2009, u detyrua të sjellë vendim për mos përdorimin/ mosdistribuimin e saj.

Në lidhje me mënyrën e trajtimit të “Çështjes shqiptare në Maqedoni”, në   “Enciklopedisë Maqedonase”, edhe unë si të dyshimtë e vlerësoj qëllimin përfundimtar të autorëve të kapitullit në fjalë – prof. d-r Stojan Kiselinovski (проф. д-р Стојан Киселиновски) dhe prof. d-r Gjorgji Mallkovski (проф. д-р Ѓорѓи Малковски), të cilët, duke e trajtuarë çështjen në fjalë, si duket në mënyrë qëllimkeqe, mes tjerash, nuk i kanë përmendur disa fakte dhe proçese kyçe, siç janë:

  1. a) Mospërmëndja e faktit se shqiptarët në përgjithsi, pra përfshirë edhe ata të Maqedonisë, janë pasardhës të fiseve ilire, të cilët në periudhën antike dhe më pas, e banonin edhe teritorin e Maqedonisë Veriore të sotme;
  2. b) Tërheqja e detyrueshme e një pjese të pasardhësve të fiseve ilire, nga teritori i sotëm i Maqedonisë Veriore, pas ardhjes/ vendosjes të disa fiseve të sllavëve të jugut, në këto teritore, në fund të shekullit të VI dhe në fillim të shekullit të VII;
  3. c) Theksimi i tepëruar dhe trajtimi i gjerësishëm vetëm i vendosjes të disa familjeve shqiptare (nga teritori i Shqipërisë të sotme) në disa vise të Maqedonisë Veriore të sotme, që ka ndodhur në periudhën e Perandorisë Osmane;

ç) Mospërmendja e masave politike dhe të tjera që kanë qenë të ndërmara nga ana e pushtetarëve të dy Jugosllavive (monarkiste dhe socijaliste), për zvogëlimin e numrit të shqiptarëve në Jugosllavi/ Maqedoni, nëpërmjet të shpërnguljes të tyre në Turqi dhe shtete të tjera (Shqipëri, etj.), ose nëpërmjet të çvendosjes/ vendosjes së tyre të detyrueshëm në brendi të Serbisë;

  1. d) Mos theksimi i stausit shtetformues të shqiptarëve (dhe turqve) të Maqedonisë, që pjesëtarët e këtyre dy komuniteteve i kanë gëzuar në bazë të ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, dhe heqja e kësaj të drejte me ndryshimet kushtetuese të viti 1989;
  2. dh) Abrogimi/ heqja, në vitin 1991, e disa të drejtave të shqiptarëve (dhe turqve) që, pjesëtarët e komuniteteve në fjalë, po ashtu, i kishin fituara me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974;
  3. e) Theksimi i të dhënës jo të vërtetë se në vitin 1800, 97,5%, kurse në viti 1840, 93,90%, nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonise paskan qenë maqedonas;

ë) E dhëna, po ashtu, jo e vërtetë se numri i shqiptarëve në Maqedoni në 1944 qenka 90.000 fryme. (Sa për kujtesë, numri i shqipfolësve, bile sipas regjistrimit të vitit 1921, ka qenë 110.674, kurse në vitin 1931, rreth 135.000 frymë).

Duke e analizuarë kapitullin e lartpërmendur të “Enciklopedisë Maqedonase”, në fund arihet në përfundim se në formën ashtu siç “çështja shqiptare në Maqedoni” është e trajtuarë nga ana e autorëve të lartpërmendur, del se sikur e gjithë popullata shqiptare e Maqedonisë me prejardhje janë nga Shqipërija e sotme dhe se paraardhësit e tyre asnjëherë, në të kaluarë e largët historike, nuk i paskan takuarë teritorit të sotëm të Maqedonisë, por se ata na paskan qenë ardhacakë nga krahina jasht Maqedonisë, që nuk është e vërtetë. Se teza e këtillë është jo e vërtetë, mes tjerash, vite më parë, e kanë vërtetuarë  shumë autorë relevantë, përfshirë edhe gjeografi serb, d-r Jovan Cvijiq (д-р Јован Цвијиќ).

Me rikujtimin e “selamit që  Turqia para ca viteve jo më kot ja dërgoi të gjitha shteteve ballkanike për rishqyrtimin e historive të tyre nacionaliste, me fakte arkivore e jo sipas tekave politike të regjimeve të instaluara nga fuqitë perëndimore, me të pavërtetat mbi Perandorinë Osmane, shkaku se ata abuzuan me të”, z. Savash Veliu, në një mënyrë e vërteton vlerësimin tim të mësipërm, se jo vetëm historiografija maqedonase, por historiografitë e të gjitha shteteve Ballkanike, për fat të keq, vazhdojnë të jenë të ngarkuara me dukuri të ngjajshme ose të njëjta si ato të historiografisë maqedonase.

Sipas mendimit tim, në të kaluarën dhe sot, udhëheqsit dhe një pjesë e historijanëve maqedonas, duke u përkujdesur për fatin e vet dhe të shtetit të tyre, jo rallë i kanë hyrë në hak/ i kanë bërë padrejtsira, të natyrave të ndryshme, bashkëqytetarëve të tyre, të përkatsive jomaqedonase (shqiptare, turke, vllehe, rome/ egjiptase, boshnjake, e tj.), duke mos i aplikuarë me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet e tjera përkatse, me të cilat kanë qenë të parapara/ të garantuara të drejtat e nacionaliteteve, të  përkatsive  jomaqedonase.

Por, në se në këtë aspekt bëjmë karahasim me shetet e tjera të Regjionit Ballkanik, do të vimë në përfundim se, sidomos 20 vitet e fundit, Republika e Maqedonisë Veriore ka bërë hapa shumë të rëndësishme, në drejtim të përmirsimit të gjendjes të përgjithshme të qytetarëve të saj me përkatsi jomaqedonase. Vall prof.S.Veliu mun të na thotë, p.sh., në cilin shtet tjetër fqinj të Maqedonisë Veriore, qytetarët e të cilave i përkasin komuniteteve më të vogla (maqedonasit, grekët, vllehët, egjiptasit, malezezasit, e tj. në Shqipëri; maqedonasit, shqiptarët, turqit, vllehët, e tj., në Greqi; turqit, maqedonasit, romët, vllehët, e tj., në Bullgari; e tj.), i gëzojnë të drejtat e tyre, siç janë:

  1. a) Njohja e numrit përafërsisht të saktë të tyre;
  2. b) Të drejtën për përdorim të gjuhës amtare, në çdo nivel;
  3. c) Të drejtën për arsimim, në gjuhën amtare, në të gjitha nivelet, përfshirë edhe në nivelin universitar/ pasuniversitar;

ç) Të drejtën për informim, në gjuhën amtare;

  1. d) Të drejtën e përfaqsimit të tyre në institucionet e ndryshme të shtetit, në nivel lokal dhe qendror;
  2. dh) Të drejtën e përfaqsimit proporcional të tyre në Parlament;
  3. e) Të drejtën e përfshirjes të tyre proporcionale, në polici, ushtri, diplomaci; e tj.

Këto dhe arijtje të tjera që Republika e Maqedonisë Veriore i ka bërë, posaçërist 20 vitet e fundit, janë fakte/ të vërteta të pamohueshme. Të mos flasim për gjendjen e jogrekëve në Greqi dhe e jobullgarëve në Bullgari, edhe pse bëhet fjalë për dy shtete antare të Unionit europjan.

Dhe fare në fund të këtij artikulli, dua ta rikujtoj faktin se Republika e Maqedonisë Veriore dhe kombi maqedonas, i pëlqen dikujt ose jo, janë subjekte reale dhe të barabarta, dhe pjesë integrale e trashgimisë të tërësishme të Gadishullit Ballkanik dhe kontinentit Europjan, dhe si të tilla do të vazhdojnë të egzistojnë përgjithmonë, si çdo shtet dhe komb tjetër. Obligim parësor, para së gjithash, i elitës politike të shtetit të Maqedonisë Veriore, është të bëjë përpjekje plotsuese dhe të pa ndërprera për tejkalimin e dobësive egzistuese të çdo natyre, me piksynim final për integrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë Veriore në EU dhe për  avansimin e mëtejshëm të jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturotre, e tjerë të vendit dhe qytetarëve të tij, pa asçfar dallimi dhe përjashtimi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne