Vdekja është kudo! Qëllimet e fshehta të Netanyahut, rritet frika se Izraeli planifikon të pushtojë tokën në Gaza

Izraeli ka forcuar rrethimin e Gazës veriore përballë paralajmërimeve nga OKB-ja dhe agjencitë e tjera të ndihmës se qindra mijëra jetë palestineze janë në rrezik, duke ngritur pikëpyetje nëse qëllimet përfundimtare të luftës të qeverisë Netanyahu përfshijnë zgjerimin territorial.

IDF thotë se po godet militantët e Hamasit, por dyshohet se Izraeli po zbaton një plan nga i cili ishte distancuar zyrtarisht, i njohur si “plani i gjeneralëve”.

Plani kishte për qëllim të shpopullonte veriun e Gazës duke u dhënë palestinezëve të bllokuar atje një mundësi për të evakuuar dhe më pas duke i trajtuar ata që qëndruan si luftëtarë, duke vendosur kështu një rrethim total.

Qeveria theksoi se plani nuk ishte miratuar, por disa ushtarë të IDF-së në Gaza si dhe grupet izraelite dhe palestineze të të drejtave të njeriut, thonë se plani po zbatohet në baza ditore, por me një ndryshim të madh: palestinezët në Gazën veriore nuk ishin duke u dhënë një shans real për t’u evakuuar. Ata janë të bllokuar.

“Është e pamundur për mua të largohem nga shtëpia ime sepse nuk dua të vdes atje. Ka shumë njerëz që kanë humbur jetën larg shtëpive të tyre, edhe në jug. Vdekja është kudo”, tha Ramadan, një 19-vjeçar në Beit Lahiya, familja e të cilit është zhvendosur shtatë herë gjatë luftës 13-mujore.

“Ka shumë të shtëna dhe të gjitha llojet e bombardimeve. Bombardohen tubimet, bombardohen strehimoret dhe bombardohen shkollat. Zona është e mbipopulluar, kështu që edhe një bombë e vogël vret dhe plagos shumë njerëz. Edhe nëse ka njerëz që duan të shkojnë në jug, nuk munden sepse nuk ka rrugë të sigurt”, vijoi Ramadan.

Trupat tokësore izraelite kanë rrethuar tre zona – Beit Lahiya, Beit Hanoun dhe kampin e refugjatëve Jabalia – në provincën veriore të Gazës, ku llogaritet të jenë rreth 75,000 njerëz. Por realiteti është se pothuajse të gjithë të bllokuarit në gjysmën veriore të Gazës nuk kanë shpëtim.

Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së ndihmës të OKB-së Unrwa, bëri thirrje urgjente për një armëpushim të menjëhershëm, qoftë edhe për disa orë, për të mundësuar kalim të sigurt humanitar për familjet që dëshirojnë të largohen nga zona dhe të shkojnë në vende më të sigurta”.

Por, nuk pati asnjë përgjigje nga autoritetet izraelite, qëndrimi zyrtar i të cilave është të mos merren me Unrwa (agjencia më e madhe e ndihmës në Gaza).

Ndihmat në veri të Gazës janë kufizuar shumë që nga fillimi i luftës më 7 tetor të vitit të kaluar. Sasia e ndihmave që hyjnë në të gjithë vendin kanë rënë në një nivel të ulët dhe pothuajse asgjë po arrin në veri.

Agjencia e Koordinimit të Çështjeve Humanitare të OKB-së, OCHA, raportoi se, që nga e enjtja asnjë furrë buke apo kuzhina publike në veri të Gazës nuk është funksionale dhe vetëm dy nga 20 pikat e shërbimit shëndetësor dhe dy spitale mbeten funksionale, megjithëse pjesërisht.

“Pa energji elektrike apo karburant të lejuar që nga 1 tetori, vetëm dy nga tetë puse uji në kampin e refugjatëve Jabalia mbeten funksionale, të dyja pjesërisht”, u shpreh OCHA.

Në një deklaratë të bërë ditën e djeshme, krerët e OCHA dhe 14 agjenci të tjera të OKB-së ngritën alarmin se zona ishte buzë një humnere.

“Situata në veri të Gazës është apokaliptike. E gjithë popullata palestineze në Gazën veriore është në rrezik të menjëhershëm për të vdekur nga sëmundjet, uria dhe dhuna”, thuhet në apel.

Objektet shëndetësore të mbetura brenda zonës së rrethuar, spitalet Kamal Adwan, al-Awda dhe indonezianë, janë shënjestruar. Vala e tretë e një fushate vaksinimi ndaj poliomielitit filloi të shtunën, por jo për fëmijët e bllokuar në atë zonë.

Javën e kaluar, Kamal Adwan u bastis nga IDF, mjekët e saj u arrestuan dhe më pas, pasi ushtarët u tërhoqën, spitali u bombardua, duke shkatërruar furnizimet e dorëzuara së fundmi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Spitali Kamal Adwan është reduktuar nga një spital që ndihmon qindra pacientë, me dhjetëra punonjës shëndetësorë”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Situata nuk është më e mira në spitalin al-Awda. Mohammad Salha, drejtori i spitali tha se ka mungesë karburanti, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe ushqimesh.

“Nuk ka ambulanca. Populli po i sjell të plagosurit nga fusha me gomarë dhe mbi supe. Disa po vdesin në rrugë sepse askush nuk mund të kujdeset për ta ose po i çojnë në rrugën e gabuar”, tha gjithashtu Salha.

Shtretërit në spitalet, maternitetet dhe pavijonet e tjera janë plot me pacientë të plagosur nga bombardimet dhe ka mbetur vetëm një kirurg. Al-Awda nuk ka asnjë njësi gjaku O-pozitive, O-negative, B-pozitive apo B-negative të mbetura, shtoi Salha, “kështu që nëse ndonjë rast ka nevojë për këto grupe gjaku, ata do të vdesin”.

“Plani i gjeneralëve” u paraqit si një mjet për të përdorur luftën e rrethimit dhe për të ushtruar presion mbi Hamasin për lirimin e pengjeve izraelitë. Gjenerali në pension Giora Eiland, argumentoi se rrethimi nuk ishte një krim lufte nëse civilët evakuoheshin fillimisht dhe se okupimi do të ishte i përkohshëm, si një mënyrë për të ushtruar presion të vërtetë mbi Hamasin.

“Po ta kuptonte Hamasi se moskthimi i pengjeve do të thotë humbje e 35% të territorit të rripit, do të kishte kompromentuar shumë kohë më parë”, shkroi Eiland.

Për ata që janë në kaos në veri të Gazës, kjo nuk duket si një masë kundër kryengritjes.

“Ata vrasin të gjithë njerëzit pa dallim, civil apo një luftëtar”, tha Ahlam al-Tlouli, një 33-vjeçar nga kampi Jabalia. Ai u shpreh se babai, njerka dhe motra e tij u vranë nga snajperët dhe vëllai i tij ishte zhdukur. “Ne kishim mundësi të shkonim në jug, por refuzuam sepse e dimë se bombardimet janë kudo dhe nuk ka vend të sigurt”, përfundoi 33-vjeçari.

Egërsia e asaj që po ndodh në Gazën veriore ka shtuar dyshimet se ka objektiva më të gjera në lojë. Idan Landau, profesor i gjuhësisë dhe komentator politik i Universitetit të Tel Avivit, shkroi në blogun e tij: Mos vdis budalla, se qëllimi përfundimtar i planit nuk është ushtarak, por politik – rivendosja e Gazës.

‘Nuk ka alternativë’: Ndalimi i Izraelit për shërbimet jetike të Unrwa do të jetë një katastrofë për Gazën./sot

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress