Vrasja në atentat e Laert Kekajt/ Hetohet pista e përplasjeve mes grupeve kriminale! Policia krijon identikite për vrasësit

Atentati i dy netëve më parë në Vlorë ende nuk ka as pistë dhe aq më pak autorë.

Gjithçka që ka mundur të zbulojë Policia përgjatë ditë së djeshme janë vetëm pamjet filmike të atij momenti fatal ku vrasësit kanë ndjekur shënjestrën e tyre, Laert Kekajn, duke i marrë jetën brutalisht.

Policia, me anë të ekspertëve të saj është përpjekur të krijojë identikite në lidhje me ato pak pamje që iu kanë servirur pamjet filmike që kanë sekuestruar, ndërkohë që bëhet me dije se në makinën e atentatorëve nuk ka mbetur asnjë shenjë shpresëdhënëse për zbulimin e autorëve.

Si gjithnjë, Policia dhe Prokuroria e Vlorës kanë në duar një mori dëshmish, kryesisht të familjarëve të viktimës si dhe të miqve të tij. Po ashtu, edhe një dosje voluminoze që lidhet me një krim të ndodhur dy dekada më parë në qytetin e Vlorës, ku viktima u tha se ishte njëri nga dy autorët e një ngjarjeje të rëndë, me pasojë vdekjen e një kambisti.

POLICIA

Ka shkuar në 30 numri i personave të pyetur në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmë në qytetin e Vlorës, ku mbeti vrarë 41-vjeçari Laert Keka.

Rreth 10 persona janë shoqëruar në Komisariatin e Vlorës. Ndër 30 personat janë familjarë e të afërm të viktimës të pyetur për konfliktet që ai ka patur apo ngjarje të mëparshme. Ata kanë deklaruar se në dijeninë e tyre veç ngjarjes së vitit 2000 nuk kanë dijeni për konflikte apo ngjarje që viktima të ketë patur lidhje. Rreth 30 personat që janë shoqëruar në komisariat kanë qenë kryesisht dëshmitar okular të cilët kanë treguar ngjarjen e plotë.

Sipas tyre makina “Audi A6” me targa italiane, me xhama të zinj kishte në brendësi të saj dy persona, shoferin dhe qitësin. Fillimisht në drejtim të viktimës është goditur kur ai ka qenë në lëvizje me motor dhe më pas ai ka lënë motorin duke ecur për 100 metra në këmbë.

Makina e ka goditur me breshëri kallashnikovi disa herë, edhe pse ai po largohej. Në fund qitësi ka dal jashtë Audit dhe është siguruar që e ka ekzekutuar.

Mbi 30 gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes, të cilat janë kryesisht të armës së zjarrit kallashnikov. 6 prej plumbave e kanë kapur 41- vjeçarin në trup, këmbë dhe kokë. Laert Keka ka ndërruar jetë në momentin kur qitësi ka dal nga makina dhe e ka goditur për herën e fundit dyshohet në kokë. Ngjarja ndodhi në një zonë të frekuentuar, në orarin e mbrëmjes ku ka biznese dhe kamera sigurie ku e gjithë ngjarja është filmuar nga këto të fundit.

Autorët me mjetin tip “Audi” më pas është larguar me shpejtësi duke dal nëpër lagje, në hyrje të qytetit, në rrugën e Lumit të Vlorës. Autorët kanë djegur në aksin Kotë Sevaster makinën dhe më pas janë larguar me një tjetër mjet duke përfituar nga zona e shkretë dhe errësira. 15 -20 minuta maksimumi ka zgjatur e gjithë ngjarja në fjalë. Policia ka ngritur postbllok policor, por s’ka ende autor të dyshuar. Ende nuk ka një pistë nga Policia për shkakun e kësaj vrasje.

Viktima ishte i dënuar më parë. Rreth viteve 2000, ka marr peng një kambist, teksa për t’i marr shumën e lekëve në bashkëpunim me një tjetër shtetas e ka vrarë atë. Disa vite ka qëndruar i identifikuar si autor i krimit në arrati dhe më pas në 2005 për të është dhënë vendimi i formës së prerë për ta dënuar, ku ka bërë edhe shumë vite burg pas kësaj ngjarje. Pas daljes nga burgu, Keka punonte kryesisht me mjete lundruese ku në sezonin e verës bënte transport turistësh drejt Sazanit apo Karaburunit. Ai ishte i martuar dhe sipas të dhënave, ishte prind i dy fëmijëve!

HETIMET

Referuar të dhënave që vijnë nga grupi hetimor bëhet me dije se fokusi kryesor është përqendruar te përditshmëria e viktimës. Janë marrë në pyetje një mori personash që njohin Kekajn, kishin miqësi me të dhe që punonin bashkë.

Po ashtu, priten të merren në pyetje edhe disa persona të tjerë, të skeduar si persona me precedent të mëparshëm kriminal, apo që kanë rezultuar të ishin shënjestra të krimit në Vlorë për të mësuar më shumë në lidhje me ndonjë implikim në ndonjë ngjarje të kohëve të fundit.

Po ashtu, hetuesit i janë kthyer edhe ngjarjes së ndodhur 23 vjet më parë për të parë nëse ngjarja e dy netëve më parë të ketë qenë për hakmarrje, por duke qenë se viktima ka vijuar jetën normalisht pasi ka dalë nga burgu, madje duke mos u larguar nga vendi apo ruajtur, grupi hetimor ka dyshime të arsyeshme ta lërë pistën e hakmarrjes në plan të dytë si motiv të vrasjes së 41-vjeçarit Kekaj./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne