Zonja e Parë e Turqisë i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i japë fund persekutimit të palestinezëve në Gaza

Zonja e Parë e Turqise, Emine Erdogan, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund persekutimit të njerëzve në Rripin e Gazës, duke premtuar se do të bëjë që zërat e fëmijëve palestinezë të dëgjohen në mbarë botën. Duke folur në ngjarjen e titulluar “Ëndrrat antiplumb: Ekspozita e Artistëve Fëmijë të Gazës” në Istanbul, zonja Erdoğan theksoi nevojën për të nxjerrë në pah vuajtjet dhe për të bërë më të dëgjueshëm zërat e fëmijëve palestinezë, e drejta e jetës së të cilëve është e drejta e tyre më themelore.

“Ne i bëjmë thirrje botës që të ndërmarrë veprime sa më shpejt të jetë e mundur për t’i dhënë fund këtij persekutimi dhe si Türkiye, nën udhëheqjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, ne po bëjmë përpjekje intensive në këtë drejtim”, tha ajo. Ekspozita u organizua nga Drejtoria Turke e Komunikimeve në Sheshin Taksim. Ekspozita përfshin një projekt pikture të iniciuar nga gazetari turk Abdullah Aytekin bazuar në vizatimin e Monës, një vajze 6-vjeçare nga Gaza, nëna e së cilës dhe 26 anëtarë familjes u vranë nga gjatë operacionit izraelit në Gaza në vitet 2008 dhe 2009.

Ekspozita përmban 266 vepra arti, disa prej të cilave janë vizatuar nga fëmijë të Gazës që humbën jetën në sulmet e mëvonshme. Ekspozita synon të rrisë ndërgjegjësimin në komunitetin ndërkombëtar duke përcjellë ndjenjat, traumat, dhimbjet dhe kushtet e vështira të fëmijëve që dëshmuan luftën në Gaza. Ekspozita përfshin instalime fizike të pikturave të fëmijëve të Gazës dhe shfaqje digjitale.

Emine Erdogan tha se që nga 7 tetori, Izraeli ka hedhur plumba dhe bomba mbi popullin palestinez para syve të gjithë botës dhe se civilët, veçanërisht gratë dhe fëmijët, kanë qenë më të prekurit nga kjo situatë. “Në vitin 2009, ne organizuam takimin ‘Gratë për Paqe në Palestinë’, i cili u mbajt në Istanbul. Maysa Yousuf nga Gaza, e cila e ndoqi fjalimin tim në televizion, pikturoi një foto me shënimin ‘E dashur zonjë, lotët tuaj kanë arritur tek ne’ gjë që më bëri vërtet përshtypje”, tha zonja Erdoğan.

Ajo kujtoi se thirrja për paqe u bë për fëmijët e Gazës në një samit tjetër në vitin 2009, duke thënë: “Sot, si të rritur, ata përballen me fytyrën e errët të luftës dhe sot, ndoshta fëmijët e tyre kanë të njëjtin fat dhe janë bërë viktima të mizorisë izraelite. Sa breza të tjerë do të duhet të sakrifikojmë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në territoret palestineze?”

Mizoria e Izraelit nuk mund të legjitimohet më

Luftërat dhe masakrat kanë efektet më shkatërruese mbi fëmijët, tha drejtori i komunikimeve i Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun, i cili foli në ekspozitë.

Këto imazhe “me pamëdyshje” dhe “në mënyrë të qartë demonstrojnë se për dekada, Izraeli ka kaluar të gjithë kufijtë moralë të njohur nga njerëzimi”, shtoi ai, duke shtuar se mizoria e Izraelit nuk mund të legjitimohet më në asnjë mënyrë. Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Sulmet izraelite e kanë lënë Gazën në gërmadha, ku 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë banorë janë zhvendosur mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne