“Zoti, nën rrënojat e Gazës”/ Betlehemi, qyteti i lindjes së Jezu Krishtit në zi për festimet e Krishtlindjeve këtë vit

Lufta në Gaza ka futur në hije festimet e Krishtlindjeve në qytetin e Betlehemit, në Bregun Perëndimor, që njihet historikisht si vendlindja e Jezu Krishtit. Në vend të kësaj, ky qytet është në zi dhe nuk do të ngërtheje më vete, festa muzikore, ceremoni apo edhe dekorime ekstravagante, shkruan New York Times. Këtë vit, edhe skena tradicionale e lindjes së Jezu Krishtit në një kishë luterane në Betlehem mori një kuptim tjetër. Jezu Krishti nuk është i vendosur kësaj here në një djep të improvizuar me sanë dhe dru, por, është i vendosur mes rrënojave, gjegjësisht tullave të thyera, gurëve dhe pllakave që përfaqësojnë shkatërrimin në Gaza. Ai është mbështjellë me një ‘keffiyeh’, shalli me kuadrate bardhë e zi, që është bërë një simbol i identitetit palestinez.

“Jemi të thyer nga imazhet e fëmijëve që nxirren nga rrënojat, ditë pas dite. Jemi ngjitur pas ekraneve tona”, tha Munther Isaac, pastori në Kishën Ungjillore Luterane të Krishtlindjeve që krijoi këtë djep të imrpovizuar. “Zoti është nën rrënojat në Gaza, këtu e gjejmë Zotin tani”, thotë ai. Lufta filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi një mori sulmesh në Tel Aviv dhe me pjesëtarët e tij vërshuan komunitetet jugore të Izraelit, që mbetën të vrarë rreth 1,200 izraelitë. Në përgjigje të këtyre sulmeve, Izraeli nisi bombardimin e Gazës dhe mobilizoi forcat tokësore atje për të eliminuar Hamasin. Muajin e kaluar, krerët e kishave të ndryshme në Jerusalem u kërkuan kongregacioneve të tyre të hiqnin dorë nga “aktivitetet e panevojshme festive”. Në vend të kësaj, në një deklaratë, priftërinjtë dhe adhuruesit duhet të “përqendrohen më shumë në kuptimin shpirtëror të Krishtlindjeve në aktivitetet e tyre baritore dhe festimet liturgjike”.

Udhëheqësit lokalë të krishterë thonë se rreth 35 mijë krishterë jetojnë në zonën e Betlehemit. Simbolika e Krishtlindjes është pjesë e shpirtit të qytetit. Por, situata e vazhdueshme në Gaza ka vendosur në hije këtë vit festimet e Krishtlindjeve në Betlehem. Tradicionalisht, një pemë gjigante e Krishtlindjeve vendoset në qendër të qytetit në Sheshin Manger dhe një ceremoni e ndriçimit të pemëve zhvillohet me bujë të madhe, por jo këtë vit. Ndonëse, rrugët e qytetit zbukurohen me dekorime Krishtlindjesh, ato kësaj here janë të “zbrazëta”.

Një traditë e qytetit e procesionit të famshëm të Patriarkut do të bëhet gjithashtu në një version paksa të zbutur; aty ku Patriarku Katolik Romak udhëton nga Jerusalemi në Betlehem për të shënuar udhëtimin e Jozefit dhe të Marisë. Siç thuhet, patriarku do të nisë kortezhin si zakonisht në prag të Krishtlindjes, me djem e vajza, megjithatë do të marshojnë në heshtje pa luajtur instrumentet muzikore./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne