Zyrtarët e BE vizitë në Prishtinë, Kurti në prag të takimit: Nuk mund të kemi normalizim me Serbinë pa siguri në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.

Këto komente Kurti i bëri gjatë një ngjarjeje në Shtime, kur u pyet se çfarë pritet të kërkohet nga Kosova gjatë vizitës së pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë më 21 tetor.

“Çka do të kërkojnë dhe çfarë do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit, për popullin dhe shoqërinë”, tha Kurti.

Më 21 tetor, në Kosovë dhe Serbi, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, së bashku me emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara do të takohet në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beogradi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

 

 

Në BE kanë thënë se qëllimi kryesor i vizitës në Kosovë dhe Serbi është ringjallja e dialogut, me synim që palët të zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e arritura, por edhe të rivendoset stabiliteti në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Së bashku me Lajçakun, në vizitë do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës , ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo. Me ta do të jetë në delegacion edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Diplomatët ndërkombëtarë po ashtu pritet të shtyjnë përpara zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

Gjatë prononcimit për gazetarë, Kurti sërish ka fajësuar Serbinë se nuk po e zbaton marrëveshjen, që sipas tij, ka në qendër njohjen de facto të Kosovës.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si “Pesëshja e Madhe” është e para që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Burimet diplomatike në Bruksel thanë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë ky delegacion dëshiron të dërgojë edhe mesazhin se ka një unitet në BE si dhe mes BE-së dhe SHBA-së në qëndrimin se nuk do të hiqet dorë nga Marrëveshja drejt normalizimit dhe do të kërkojnë nga palët zotim për respektim të obligimeve.

Ndonëse shumica e diplomatëve në Bruksel thonë se “pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë gjërat kanë ndryshuar”, ata nuk janë të sigurt se sa do të ndikojë kjo direkt në procesin e dialogut. Por, ngjarjet në Banjskë, që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe Parlamenti Evropian i kanë quajtur “sulme terroriste” kanë kthyer menaxhimin e krizave si prioritet edhe për BE-në, krahas përpjekjeve për përparim në procesin e normalizimit të raporteve.

Pritjet e diplomatëve janë që ndaj Kosovës kërkesa kryesore do të jetë që të gjejë një rrugë për “organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri” dhe zotimin për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga Serbia do të kërkojnë para se gjithash që të distancohet nga secili veprim që mund të destabilizojë veriun e Kosovës dhe që po ashtu të zbatojë marrëveshjet të cilat janë arritur më herët në dialog.

Pritjet edhe në BE nga kjo vizitë janë të larta, por kësaj radhe, thanë diplomatët, nuk janë dhënë shumë hollësi rreth asaj se me çfarë kërkesa konkrete ky delegacion shkon në Kosovë dhe Serbi.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe kërkon që Bashkimi Evropian të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe Parlamenti Evropian përmes një rezolute të votuar më 19 tetor, ku thuhet nëse gjendjet një lidhje e drejtpërdrejtë e Serbisë me sulmin, Beogradi duhet të ndëshkohet.

BE-ja më herët ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve dhe më mund të ndërmerren hapa dhe masa eventuale.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar./ REL

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne