Statuti për Trepçën do t’i hapte rrugë zhvillimit të këtij gjiganti ekonomik. Ky statut ishte miratuar dhe dërguar në Kuvendin e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Për kryetaren e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha Shala, statuti ishte tërhequr për shkak të pakënaqësive që ka pasur Sindikata e Punëtorëve të Trepçës.

Berisha Shala në një intervistë për Ekonomia Online pohon se jo zyrtarisht ka marrë informacion se ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e ka dorëzuar atë në Kuvend.

“Fillimisht kur ka ardhur statuti i Trepçës në Kuvend nga Qeveria, deputetët e opozitës nuk iu kanë bashkëngjitë grupit të punës, me punuar për statutin e Trepçës, në mënyrë që me e funksionalizuar Trepçën. Ndërkohë që ka pas pakënaqësi nga Sindikata Punëtorëve të Trepçës dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Lluka, e ka tërheq një farë forme statutin nga Kuvendi dhe është marrë vesh, e ka bë një marrëveshje me Sindikatën e Trepçës dhe prej asaj kohe nuk e kemi pas në Kuvend statutin. Tani kam dëgjuar, ende nuk e kam marrë zyrtarisht si kryetare e komisionit, kam marrë informacion dje nga ministri se e ka dorëzuar në Kuvend statutin”, tha Berisha Shala

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se komisioni që ajo drejton ka arritur t’i procedojë të gjitha projektligjet.

“Nga gjithsej 23 ligjet që i kemi pas në procedurë për t’i trajtuar, 22 i kemi përfundu, s’ka mbete asnjë në komision. Domethënë 23 i kemi përfunduar si komision, ndërkohë që janë miratuar dhe janë në fuqi 19 ligje, kanë mbetur tre ligje që presin vetëm votimin e tyre në Kuvend”, u shpreh Berisha Shala.

Sa u përket bordeve të ndërmarrjeve publike, përveç kryetarit të bordit të zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i cili ka mbetur nga seanca në seancë pa u zgjedhur, tjetër ka mbetur edhe bordi i KOSTT-it, për të cilin Berisha Shala, ka thënë se procedura për përzgjedhjen e tij do të bëhet në javën e dytë të janarit. Megjithëse këtë vit deputetët e opozitës kishin deklaruar disa herë se vendi mund të shkojë në zgjedhje, për deputeten Berisha Shala, Kosova as në vitin 2019 nuk do të ketë zgjedhje të reja.

“Klima e krijuar së fundi, edhe me miratimin e ligjeve që fuqizojnë ushtrinë e Kosovës, po edhe taksa në të njëjtën kohë, e ka ofruar një klimë më të mirë, më bashkëpunuese, nuk besoj se do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm. Edhe ashtu Kosova nuk i ka komoditetet që shumë shpesh të mbahen zgjedhje, sepse përveç që janë kosto financiare, është kosto kohore, në të njëjtën kohë është mirë cilado që të jetë mazhoranca ta çojë mandatin deri në fund dhe të dihen përgjegjësitë dhe fajet për gjithçka, sepse në këtë klimë kështu po mbetet si i përgjithësuam edhe ngecjet e Kosovës”, u shpreh Berisha Shala.

Ajo shtoi se është më mirë që mandati i Qeverisë të shkojë deri në fund.

“Unë konsideroj që edhe për opozitën është më mirë që Kosova mos të mbajë zgjedhje kaq të shpeshta, por të çojë mandatin deri në fund dhe të shihet çka ka punuar ajo Qeveri dhe çka s’ka punuar, që qytetarët të jenë më të qartë në këtë drejtim. Sepse në këtë kohë më shumë po shihet opozita si bllokuese e proceseve, se sa mazhoranca që nuk po punon në këtë drejtim. Prandaj, është më e shëndetshme edhe për opozitën por edhe për qytetarët e Kosovës që mandati të shkojë deri në fund”, shtoi Berisha Shala

Berisha-Shala ka thënë se brenda partisë nuk qëndron asnjë problem, teksa ka shtuar se problemi i vetëm është numri jo i mjaftueshëm i deputetëve për t’i shtyrë proceset përpara. Ndërsa, ka thënë se Kosova është në këtë situatë për shkak të zgjedhjeve të fundit./eo

9