3585 vota besimi, Indrit Gjoka: Do të jem gjithmonë pranë qytetarëve; shteti duhet te jete transparent per muxhahedinet

Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Partia Socialiste arriti një fitore të thellë me 83 mandate, Gazeta Impakt zhvilloi një intervistë me z. Indrit Gjoka, kandidat i PS-së në qarkun e Durrësit.

Në këtë intervistë, z. Gjoka flet për rezultatin zgjedhor, ecurinë e fushatës në Durrës, votat preferenciale, akuzat e opozitës, por edhe për çështje me ndjeshmëri publike si prania e muxhahedinëve në Manzë. Një bisedë e drejtpërdrejtë mbi realitetin politik pas zgjedhjeve dhe angazhimin e tij të mëtejshëm në politikë.

Intervista e plotë me Z.Indrit Gjoka

1. Z. Indrit Gjoka, Partia Socialiste arriti një fitore bindëse në zgjedhjet e 11 Majit duke marrë 83 mandate, si e lexoni ju rezultatin e 11 Majit në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë?

Rezultati i 11 majit ishte një konfirmim i besimit që qytetarët kanë ndaj Partisë Socialiste dhe vizionit të saj për zhvillimin e vendit. Në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë, qytetarët votuan për stabilitet, për vazhdimësinë e projekteve të mëdha dhe për një politikë që sjell rezultate konkrete në jetën e përditshme të njerëzve.

2. Për ju si kandidat i PS në qarkun e Durrësit, si ishte procesi zgjedhor i 11 majit?

Procesi zgjedhor ishte i qetë dhe i organizuar mirë, me pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe një administrim korrekt të votimit. Ishte një fushatë intensive, me shumë kontakt direkt me njerëzit dhe me theks te programi dhe zgjidhjet konkrete që ofron PS për qytetarët e Durrësit.

3. Në Durrës PS mori 8 mandate, aq sa në zgjedhjet e 2021. Pse nuk ndodhi në Durrës ajo që ndodhi në Fier, Elbasan apo Vlorë?

Çdo qark ka specifikat e veta demografike, sociale dhe elektorale. Në Durrës, rezultati i njëjtë me vitin 2021 tregon një bazë të qëndrueshme elektorale për PS-në, por është edhe një sinjal për të analizuar më tej se ku mund të kemi rritur dhe ku duhet përmirësuar më tej angazhimi ynë.

4. Në zgjedhjet e 11 Majit ju keni marrë 3585 vota preferenciale, çfarë mesazhi keni për ata që ju kanë dashur juve si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë?

Jam thellësisht mirënjohës për çdo votë besimi që mora. Këto 3585 vota janë një përgjegjësi dhe një nxitje për të mos u ndalur. U jam borxhli të gjithë atyre që më votuan dhe do të vazhdoj të jem pranë tyre, të punoj për ta dhe të jem një zë aktiv për nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Durrësit.

5. Keni kontestime për votat preferenciale, apo edhe po të kishit nuk do të kërkonit transparencë për votat tuaja pas mesazhit të qartë të kryeministrit Edi Rama?

Unë besoj te procesi dhe te rezultati. Kam respektuar dhe do të respektoj gjithmonë rregullat e garës, por transparenca është gjithmonë e mirëpritur në çdo proces demokratik. Ajo i shërben jo vetëm individëve, por edhe besueshmërisë së sistemit në tërësi.

Si i komentoni ju akuzat e opozitës se PS dhe kandidatë të saj në Durrës u mbështetën nga grupet kriminale për të marrë këtë rezultat, veçanërisht akuzat për kandidatin, tashmë deputet të zgjedhur Arkend Balla se u mbështet nga i ashtuquajturi grupi i troplinëve?

Këto janë akuza të zakonshme të opozitës, që përsëriten pas çdo humbjeje dhe pa fakte. Partia Socialiste ka treguar vazhdimisht angazhim për pastrimin e politikës nga çdo ndikim kriminal dhe kjo është një vijë e kuqe për të gjithë ne. Në vend të baltës, qytetarët presin zgjidhje, ide dhe përgjegjësi.

6. Z. Gjoka tani që nuk u zgjodhët deputet, çfarë do të bëni në shtator? A do të vazhdoni me angazhimin tuaj në politikë?

Sigurisht që po. Politika nuk është thjesht një mandat, është një angazhim afatgjatë ndaj komunitetit. Do të vijoj të jem aktiv në Partinë Socialiste, të punoj për zhvillimin e Durrësit dhe të mbështes çdo nismë që përmirëson jetën e qytetarëve.

7. Z. Gjoka, çfarë qëndrimi mbani lidhur me praninë e muxhahedinëve iranianë në kampin e Manzës? A mendoni se prania e tyre ka ndikuar në sigurinë apo jetën e përditshme të banorëve të Manzës dhe zonave përreth? Keni marrë shqetësime konkrete nga qytetarët gjatë fushatës apo edhe në përditshmëri?

Kjo është një çështje delikate dhe me ndjeshmëri ndërkombëtare. Ajo që është e rëndësishme është që institucionet shqiptare garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë dhe të menaxhojnë çdo rrezik të mundshëm. Në kontaktet e mia me banorët nuk kam marrë shqetësime të drejtpërdrejta për këtë temë, por transparenca dhe informimi i komunitetit duhet të jenë të vazhdueshëm.

8. Nëse do të ishit zgjedhur deputet, çfarë qëndrimi do të mbanit në Kuvend për këtë çështje? A do të kërkonit transparencë më të madhe nga qeveria dhe institucionet për marrëveshjen me këtë organizatë?

Po, do të isha një zë për më shumë transparencë dhe komunikim të qartë me qytetarët. Çdo vendimmarrje që ka ndikim mbi komunitetet tona duhet të shoqërohet me informim dhe përfshirje të qytetarëve. Kjo forcon demokracinë dhe rrit besimin te institucionet./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne