A DUHET TË QËNDROJNË MUXHAHIDINËT IRANIANË TË MEK-UT NË SHQIPËRI?

Nga Gentjan Fejzullaj

MEK është një lëvizje ideologjike opozitare e majtë iraniane me prirje të theksuara komuniste, tepër aktive kundër regjimit të Teheranit në çdo lloj mënyre. Kjo bëhet me qellim marrjen e frenave të pushtetit atje nga ana e MEK, me demek rrëzimin e regjimit autoritar dhe instalimin e një demokracie solide në një prej vendeve kryesore të Lindjes së Mesme.

Parë nën këndvështrimin aktual të një konflikti të acaruar mes Iranit e SHBA-ve, duket e udhës që Shqipëria, në raste të tilla, të qendrojë neutrale, larg konflikteve në vendet e treta. Irani e konsideron këtë lëvizje terroriste dhe historia fakton se është e tillë, shtuar këtu faktin se pak kohë më parë eshte konsideruar “terroriste” nga fuqi të mëdha dhe organizata ndërkombëtare.

Në Shqipëri ne nuk duhet të mbartim konflikte, të cilat nuk na takojnë. Kemi mjaft halle e probleme të tjera. Pa dyshim ne kemi marredhenie diplomatike me Iranin, po këto marredhenie duhet të përkthehen në rritje te shkëmbimeve tregtare dhe përfitime te biznesit vendas, të shijojmë poezite e Sadiut dhe Rumiut në fushën kulturore apo të ketë kontakte dhe shkëmbime turistike mes dy vendeve, pasi trashëgimia kulturore perse nuk shterohet.

Në planin politik, dihet se dy vendet tona për shumë çështje të nxehta ndërkombëtare, kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe të tilla duket se do të jenë për një kohë të gjatë, pavaresisht se ne jetojmë në një rajon të brishtë me aleanca të larmishme e të paçimentuara.
Në planin demografik, shihet një zbrazje e Shqipërisë nga vendasit dhe lehtësisht vërehet se ka nisur dhe do të intensifikohet një prurje e re njerëzish, përgjithësisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, kryesisht nga zonat e konflikteve.

Në të vërtetë në epokën e globalizmit, ku njerëzit lëvizin lirshëm, plagët më te mëdha sociale me pasoja të rënda nuk vijnë nga njerëz që kërkojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë e të integrohen në një vend tjetër. Ne si shqiptarë e prekim këtë fakt edhe në vende të tjera, sidomos në vendet fqinje, ku bashkëkombasit tanë kanë ndërtuar jetën e tyre dhe janë integruar më së miri në ato shoqëri. Realisht problemi qëndron tek një grup luftëtarësh (se të tillë janë muxhahidinët iranianë këtu), të cilët qëndrimin në Shqipëri e shohin si një taktike militare për të luftuar në distancë kundër një vendi tjetër. Ata nuk punojnë në Shqipëri, nuk bëjnë një jetë normale si gjithë pjesa tjetër e shoqerise tonë, që rropatet për të nxjerrë bukën e gojës. Qëllimi i tyre final është eleminimi dhe asgjësimi i kundërshtarit dhe ndërmarrja e hapave ekstreme për të qeverisur Teheranin.

Sigurisht, zhvendosja e këtij grupimi misterioz që vetëquhet “Lëvizje për Rezistencë”, në Shqipëri ka ardhur si pasojë e një vendimi sa imponues nga SHBA, aq edhe është mirëpritur nga dy forcat kryesore qe kanë qeverisur vendin dekadën e fundit. Kjo ka ardhur dhe si pasojë e kompleksit të inferioritetit të krerëve vendas ndërthurur me ambicien e shfrenuar për lëvdata pa derdhur pikë djerse, duke mos marre parasysh kostot e mëvonshme afatshkurtra dhe afatgjata. Megjithatë, nuk i dihet në të ardhmen edhe këtu tek ne mund të ketë ndonjë “Cipras” apo “Kurti” që të përpiqet të ngjallë zërin e mekur të vendimeve sovrane dhe shumëçka mund të ridimensionohet.

Të shkon mendja se nuk është i rastësishëm fakti që kampi Ashraf 3 i muxhahidinëve është vendosur në një zonë strategjike te izoluar në zemër të Shqipërisë në Manzë, vetëm 30 km larg kryeqytetit dhe fare pranë Aeroportit të Rinasit. Ata prodhojnë një makineri të vërtetë propagande për qëllimet e veta, duke funksionuar si një shtet i vogël me organizim perfekt, larg mediave dhe transparencës. Ata nuk jane thjesht të gatshem për luftë, ata janë njerez qe kanë luftuar tërë jeten, të trajnuar e të përgatitur.

Qëndrimi i muxhahedinëve iranianë këtu tek ne është një problem më tepër për vendin dhe shoqërinë shqiptare, madje jo pak i rëndësishëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne