Administrata e Trumpit e shqetësuar se Netanyahu mund të thyej armëpushimin në Gaza

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump është e shqetësuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të rrezikojë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza me lëvizjen e rezistencës palestineze Hamas, sipas një raporti të The New York Times.

Gazeta, duke cituar disa zyrtarë amerikanë që kanë kërkuar të mbeten anonimë, raportoi të martën se frika e administratës se Netanyahu mund të prishë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA ka nxitur një përpjekje të koordinuar diplomatike nga Uashingtoni për të ruajtur armëpushimin dhe për të parandaluar kthimin në një luftë të përmasave të plota.

Sipas The Times, vizita aktuale e nënpresidentit JD Vance në Izrael ka për qëllim të ushtrojë presion mbi Netanyahun që të respektojë armëpushimin në Gaza dhe të “shtojë një shtresë simbolike për të treguar angazhimin e administratës për ta mbajtur marrëveshjen në fuqi.”

Raporti shton gjithashtu se i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, mbërritën në Izrael të hënën për bisedime me Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë lidhur me zbatimin e marrëveshjes.

Sipas zyrtarëve amerikanë, si Witkoff ashtu edhe Kushner besojnë se marrëveshja e armëpushimit “është në rrezik të shpërbëhet”, duke shtuar se strategjia e tyre në Izrael është “të përpiqen ta pengojnë Netanyahun të rifillojë një ofensivë të plotë kundër Hamasit.”

Raporti thekson se negociatat e Witkoff dhe Kushner në Izrael janë përqendruar në zgjidhjen e “disa çështjeve më të ndërlikuara që mbetën të papërcaktuara në marrëveshjen fillestare,” si krijimi i një force stabilizimi dhe çarmatimi i Hamasit.

Brishtësia e situatës u theksua nga sulmet ajrore izraelite të dielën në disa zona të Rripit të Gazës, përfshirë qytetin jugor të Rafahut, ku humbën jetën dhjetëra persona.

Ushtria izraelite akuzoi Hamasin se kishte sulmuar forcat e saj brenda Gazës me granatahedhës dhe zjarr snajperësh. Hamas, megjithatë, mohoi çdo përfshirje në sulme, duke përsëritur “angazhimin e plotë” ndaj armëpushimit.

Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës tha të hënën se Izraeli ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit me Hamasin 47 herë që nga hyrja në fuqi e saj, duke vrarë të paktën 38 palestinezë dhe plagosur 143 të tjerë.

Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi më 10 tetor në Rripin e Gazës, bazuar në një plan me disa faza të paraqitur nga Donald Trump. Faza e parë përfshinte lirimin e robërve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Izraeli e pranoi marrëveshjen e armëpushimit në Gaza pas dy vitesh, pasi dështoi të arrinte objektivat e shpallura për eliminimin e Hamasit dhe lirimin e të gjithë pengjeve, pavarësisht se kishte vrarë 68,159 palestinezë kryesisht gra dhe fëmijë dhe kishte plagosur 170,203 të tjerë./gazetaimpakt/prestv

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne