Ahmadinejad: Po të isha unë, nuk do ta nënshkruaja marrëveshjen bërthamore

Ish-presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, tha se marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe vendeve P5+1 të nënshkruar në vitin 2015 përbëhej nga një sërë detyrimesh të njëanshme dhe shtoi se ai vetë “assesi” nuk do ta firmoste atë.

Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), Ahmadinejad, i cili shërbeu si president gjatë dy mandateve në periudhën 2005-2013, tha se bisedimet për marrëveshje bërthamore dhe ato me SHBA-në duhet të zhvillohen vetëm mbi themelet e drejtësisë, respektit të ndërsjellë dhe njohjes së ligjit të njëri-tjetrit.

Sipas tij, një marrëveshje e njëanshme mbase mund të zgjasë për një kohë të shkurtër, por në afat të gjatë ajo do të dështojë.

Ai kritikoi marrëveshjen bërthamore të firmosur nga qeveria e Rouhanit.

“Marrëveshja bërthamore ishte një marrëveshja që përbëhej nga një sërë detyrimesh të njëanshme. Kjo marrëveshje nuk kishte ndonjë përfitim të rëndësishëm për asnjërën palë. Edhe bazat e negociuara nuk ishin të duhura. Ne nuk mund të korrim rezultate të përshtatshme nëse e trajtojmë këtë çështje mbi themele të gabuara. Po të isha unë, nuk do ta nënshkruaja marrëveshjen bërthamore”, tha Ahmadinejad.

Ish-presidenti iranian i cilësoi si të padrejta edhe pohimet se marrëveshja bërthamore ka parandaluar koalicionin global kundër Iranit, duke shtuar se ai nuk sheh problem në bisedimet që mund të bëhen në të ardhmen me cilëndo palë, përfshirë edhe Washingtonin, por theksoi se bisedimet që nuk kanë qëllim të qartë nuk do të jenë të dobishme.

Duke folur për zhvillimin bërthamor, Ahmadinejad tha se energjia bërthamore është “garantim për zhvillimin e popujve”.

“SHBA thotë që Irani të dëshmojë se nuk dëshiron të prodhojë bombë bërthamore. Si mund të dëshmoni për diçka që nuk ekziston? SHBA nuk frikohet nga bomba bërthamore. Duhet të flasim në mënyrë të sinqertë me botën. SHBA zotëron bombë bërthamore dhe është shteti i vetëm që e ka përdorur atë. A jemi ne ata që përbëjmë rrezik dhe a duhet të ndëshkohemi për këtë gjë”, shtoi Ahmadinejad.

Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë rritur që nga viti i kaluar, kur Washingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe vendeve P5+1, pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë edhe Gjermaninë dhe BE-në.

Që atëherë, SHBA ka filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit, për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.

Si pjesë e fushatës së saj, SHBA ka rivendosur sanksione mbi eksportet e naftës të papërpunuar iraniane, duke shkaktuar rënie në ekonominë e Iranit.

– “SHBA dhe Irani mund të kenë marrëdhënie miqësore”

Ish-presidenti iranian i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump dhe Teheranit që t’i mbështesin bisedimet që do të zhvillohen për krijimin e miqësive dhe refuzimin e luftës.

Ai theksoi se është kundër çdo lloje lufte dhe se ka më shumë mundësi për bashkëpunim se sa armiqësi.

“SHBA dhe Irani mund të kenë marrëdhënie miqësore. Nëse bëjmë një anketë ose referendum, pa dyshim që njerëzit do të zgjedhin paqen dhe drejtësinë. Shtatë miliardë e 500 milionë njerëz në botë e duan këtë”, u shpreh Ahmadinajad.

“Të kishte çështje që do të zgjidhet me armë, do të zgjidheshin deri më tani. Nëse nuk ka luftë, kompanitë e mëdha të armëve në botë do të falimentojnë. Ne duhet të shkulim rrënjët e prodhimit të armëve. Është shumë e keqe që dikush të ushqehet prej armës…Pse doni të siguroni përfitime duke vrarë njerëz?”, tha më tej ish-presidenti iranian.

– “Duhet të veprojmë brenda një harmonie së bashku me Turqinë dhe fqinjët tjerë

Ahmadinajad theksoi se fqinjët çdo herë janë me prioritet dhe se duhet të zhvillohen së bashku për arsye se janë të të njëjtit rajon.

“Duhet të veprojmë brenda një harmonie së bashku me Turqinë dhe fqinjët e tjerë. Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Iranit çdo herë janë miqësore”, theksoi ai./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne