Opinion Rajoni

Analizë – Tensioni në skenën politike të Bosnjës

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Skena politike e Bosnjë-Hercegovinës ka filluar të tensionohet sërish. Mendohet se kjo situatë do të vazhdojë të jetë e tillë të paktën deri në zgjedhjet që duhet të mbahen në vitin 2018. Ndërsa nga njëra anë vazhdojnë ditët e vështira dhe kërkimet e aleancave të reja në marrëdhëniet ndërmjet tre kombeve themeluese të Bosnjë-Hercegovinës, nga ana tjetër janë rishfaqur grindjet “ti-unë” ndërmjet vet boshnjakëve.

Skena politike e Bosnjë-Hercegovinës është mjaft e ndryshme nga skena politike e vendeve të tjera. Me përjashtim të polemikave në marrëdhëniet pushtet-opozitë, në Bosnjë-Hercegovinë është e mundur të shikosh edhe tensione ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, tensione që i kalojnë kufijtë e logjikës. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe më 26 korrik 2017, kur u refuzua raporti i vitit 2016 mbi punën e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, i votuar në parlament. Aleanca për një të Ardhme më të Mirë (SBB) e drejtuar nga Fahrudin Radonçiç, megjithëse disa ministri i kontrollon duke vepruar si një partnere e koalicionit në pushtet, bashkëveproi me partitë në opozitë dhe siguroi refuzimin e raportit të Këshillit të Ministrave. Në mungesë të mbështetjes parlamentare në këtë drejtim, në vend filloi të diskutohet edhe legjitimiteti i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës. Analistët politikë theksojnë se Këshilli i Ministrave, i kryesuar nga Denis Zvidic, e ka humbur besueshmërinë në parlament, por balancat ekzistuese në parlamentin me dy dhoma të Bosnjë-Hercegovinës pothuajse nuk i japin asnjë shans rënies së qeverisë Zvidiç.

Edhe në qoftë se Këshilli i Ministrave i Bosnjë-Hercegovinës arrin të mbijetojë me përbërjen e tanishme deri në zgjedhjet e ardhshme, është e qartë se tani e tutje ai nuk do të jetë mjaft i efektshëm në punën e tij. Pasi, Fahrudin Radonçiç deklaroi se ata e kishin prishur partneritetin e koalicionit me Partinë e Veprimit Demokratik (SDA), që udhëhiqet nga Bakir Izetbegoviç, dhe ishin gati të largoheshin nga qeveria. Në këtë mënyrë, Radonçiçi, i cili filloi kështu grindjen me rivalin e tij të hershëm Izetbegoviç, përshpejtoi edhe retorikat e tij anti-turke në luftën mediatike që është duke bërë.

Kohët e fundit, bllokime të reja nuk janë shfaqur vetëm në qeverinë e Bosnjë-Hercegovinës, por edhe në parlamentin e vendit. Nikola Špiriç u shkarkua me votim parlamentar nga detyra e kryetarit të komisionit që monitoron punën e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës me arsyetimin se nuk ka qenë efektiv në këtë detyrë. Pas këtij zhvillimi, Milorad Dodik, një nga liderët e serbëve të Bosnjës dhe partia e tij, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD) mori vendim për t’u larguar nga të gjitha komisionet parlamentare.

Këto javët e fundit Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjë-Hercegovinës është përballur me kritika intensive të disa politikanëve, sidomos të Dodik, Radonçiq dhe Dragan Çoviç, ky i fundit lideri i Unionit Demokratik Kroat (HDZ). Dodik shkoi aq larg sa të thoshte se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjë-Hercegovinës është një organizatë armiqësore. Kurse Çoviç e akuzon agjencinë e inteligjencës për drejtimin e sistemeve paralele. Me largimin e Nikola Špiriq nga detyra mori fund edhe fushata e shpifjeve ndaj Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës. Megjithatë, rasti Spiriç shkaktoi tensionimin sërish të marrëdhënieve midis dy etniteteve të vendit. Partia e Dodik njoftoi se mund të tërhiqet edhe nga institucionet e tjera shtetërore. Për fat të keq, Dodik me këto deklarata filloi të përhapë përsëri urrejtjen etnike dhe fetare në Bosnjë-Hercegovinë.

Kohët e fundit nuk janë edhe aq të mira as marrëdhëniet ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve. Pasi një erë e ftohtë në marrëdhëniet mes partive politike që përfaqësojnë boshnjakët dhe kroatët kishte hyrë më herët për shkak të Projektligjit për Ndryshimin e Kodit Zgjedhor të Bosnjë-Hercegovinës. Boshnjakët po bllokojnë projektligjin në fjalë, kurse kroatët duan që ai të kalojë në parlament. Kur çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, kjo vendosi në favor të kroatëve. Marrëdhëniet boshnjako-kroate duket se do të vazhdojnë të luhaten për shkak të ligjit të miratuar në dhomën e ulët të Parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës.

Me sa duket procesi i polemikave politike, në të cilin ka hyrë tashmë Bosnjë-Hercegovina do të vazhdojë deri në zgjedhje. Sondazhet publike tregojnë se forcat politike më të preferuara nga zgjedhësit janë: Partia e Veprimit Demokratik midis boshnjakëve, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur midis Serbëve dhe Unioni Demokratik Kroat midis kroatëve. Prandaj, në kushtet aktuale, nuk pritet të ketë ndonjë surprizë të madhe nga zgjedhjet e tetorit 2018. Surprizat më shumë mund të ndodhin në zgjedhjet presidenciale. Për sa i takon përsesë, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale as Bakir Izetbegoviçi nuk mund të kandidojë më për postin e presidentit të Bosnjë-Hercegovinës, dhe as Milorad Dodik nuk mund të garojë sërish si president i Republikës Serbe. Gara e madhe për emrat që do të zëvendësojnë këta ka nisur që tani./ trt

OPINIONE

INTERVISTA