Sulmet izraelite në Liban po e kërcënojnë armëpushimin dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit. Ngushtica e Hormuzit është mbyllur sërish pas sulmeve në periferitë jugore të Bejrutit, Libanit jugor dhe Luginën lindore të Bekaas.
Bombardimet masive të Izraelit në Liban po kërcënojnë marrëveshjen e paqes të arritur mes SHBA-së dhe Iranit, me ndërmjetësimin e Pakistanit, për një armëpushim 2-javor. Izraeli i përshkroi bombardimet si valën më të madhe të sulmeve në këtë konflikt, duke goditur më shumë se 100 nga ato që i quajti qendra komande të Hezbollahut dhe vende ushtarake. Sulmet goditën periferitë jugore të Bejrutit, Libanin jugor dhe Luginën lindore të Bekaas, duke lënë mbi 254 të vdekur dhe mbi 1165 të plagosur.
Teherani ka kërkuar ndërprerjen urgjente të sulmeve izraelite në Bejrut, me qëllim që paqja të mbizotërojë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Mediat e huaja raportojnë se Irani ka bllokuar kalimin e anijeve cisternë të naftës në Ngushticën e Hormuzit, derisa Izraeli të ndalë sulmet në Liban (sulme të cilat izraeli pretendon se synojnë objektivat e Hezbollahut, por që në fakt po godasin rëndë edhe civilët). Paralajmërimi i Gardës Revolucionare ishte i fortë: ‘anijet që kalojnë Hormuzin pa leje, do të shkatërrohen’.
Armëpushimi i së martës u arrit vetëm 90 minuta përpara se të skadonte ultimatumi i Presidentit Donald Trump ndaj Iranit. Trump njoftoi marrjen e një propozimi me 10 pika nga Irani që e cilësoi bazë të mirë për negociata ndërsa tha se dy javët në vijim do të shërbejnë që një marrëveshje finale të përmbyllet, me mosmarrëveshjet e së kaluarës që siç thotë janë sheshuar.
Irani në deklaratën e tij zyrtare më herët, që mban emrin e Ministrit të Jashtëm Abass Aragchi deklaroi se duke marrë parasysh planin me 15 pika të SHBA dhe atë me të Iranit me 10 si bazë për negociata, Irani do të ndërpresë operacionet mbrojtëse duke saktësuar edhe sesi do të lirohet kalimi për në ngushticën e Hormuzit.
Pas këtij ndërmjetësimi shefi i Pentagonit Pete Hegseth në një deklaratë për mediat tha se kjo është një fitore historike e arritur në Iran. Ai theksoi gjithashtu se ky është një shans për paqe të vërtetë.
“Donald Trump ka bërë histori. Asnjë president tjetër nuk ka treguar vendosmërinë e Trump. Brenda 38 ditësh, ne e çmontuam Iranin, duke e bërë atë të paaftë për të mbrojtur popullin e tij. Ne i arritëm të gjitha objektivat tona”, shtoi Hegseth më herët.
Ndërkohë mbetet për t’u parë nëse do të gjendet një zgjidhje për ndaljen e sulmeve izraelite në Liban, apo nëse Ngushtica e Hormuzit do të vijojë të mbetet e mbyllur./shqiptarja

















