Bashkia, taksë shtesë 3% për apartamentet e reja në kryeqytet

Çdo biznesmen që ka ndërtuar në Tiranë vitin e fundit dhe në vazhdim do të ketë një taksë shtesë prej 3%, për llogari të bashkisë kryeqytetase, në bazë të ligjit “për strehimin social”. Ndonëse Këshilli Bashkiak i Tiranës mori dje vendimin, efektet e tij nisin që nga data kur është miratuar ligji, 30 nëntor 2018.

Për kryetarin e Erion Veliaj, ky është një lajm i mirë, duke qenë se arka e bashkisë (një ndër mënyrat e kompensimit të taksës) do të vijojë të mbushet nga një prej sektorëve që siguron gati gjysmën e ardhurave totale vjetore nga taksat e tarifat. Për banorët, duket e kundërta, pasi taksa shtesë për ndërtuesit do të transferohet në çmimet e apartamenteve.

Në projektvendimin për krijimin e fondit publik të banesave sociale nga apartamentet e reja, bashkia ka marrë të gjitha masat për ta vjelë 3%-shin, duke e marrë si pronë fizike apo Cash, si kusht për të dhënë lejen e kolaudimit. Në një qytet të kthyer vitet e fundit në kantier të madh ndërtimesh, mbetet për t’u parë mënyra se si do t’i detyrojë bashkia të paguajnë për pallatet e përfunduara, të cilat tashmë i ka kolauduar.

PRONË OSE CASH 

Përgjatë një viti nga dalja e ligjit për strehimin social, ekspertë të bashkisë kanë hartuar mënyrat se si do ta vjelin masën e paracaktuar me ligj. Ato janë tre, pronë në të njëjtën ndërtesë, banesa nga fondi i ndërtimeve në një tjetër zonë ose edhe para me çmimin e tregut.

“Ne kemi qenë në ngërç, sepse na duhet që të përkthejmë në akte nënligjore si do zbatohet 3% i banesave sociale për ndërtuesit. Pra, përveç taksës që i paguhet bashkisë ka edhe një fond për banesat sociale. Ligji ua ka deleguar bashkive me një udhëzim se si duhet ta interpretojnë. Ajo që ne kemi bërë në këtë vendim, është që i kemi dhënë sot disa mundësi privatit. Mund të na japë 3% aty ku po ndërton, mund të na e japë këtë 3% sipas vlerës së vendit ku po ndërton, në një vend tjetër, nëse ka një fond banesash të pashitura, ose 3% mund të zgjedhë ta paguajë edhe Cash me vlerën e ndërtimit të asaj zone kadastrale”, deklaroi Veliaj nga salla e Këshillit Bashkiak.

Fondi i banesave do të shfrytëzohet për politikat e saj sociale për familjet në nevojë, ndërsa e njëjta gjë do të bëhet me paratë, të cilat do të kanalizohen po për të njëjtin qëllim./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne