BE ultimatum Boris Johnson-it: Ke 12 ditë kohë të prezantosh planin për Brexit, ose prano dështimin

Liderët e BE-së i kanë dhënë kryeministrit britanik, Boris Johnson, një ultimatum të fundit, sa i përket procesit të Brexit. Ata kanë vendosur një afat prej 12 ditësh, që kryeministri të shpalosë planin për Brexit, ose në të kundërt të pranojë dështimin e marrëveshjes.

Ky ultimatum vjen pas një mbledhje në Paris, ku kryeonegociatori i unionit për Brexit, Michel Barnier, i tha kryeministrit se duhet të ndalë “pretendimet” sikur po negocion.

Liderët europianë, janë mjaft të shqetësuar se kryeministri Johnson thjesht po harxhon kohën e tyre, duke shtyrë bisedimet, pa prezantuar asnjë propozim.

Zyrtarë të BE-së i thanë “The Independent”, se ata janë duke humbur durimin dhe se kishin frikë se po u jepet qëllimisht një drejtim i gabuar nga negociatorët britanikë.

Ndërkohë, situata mbetet mjaft e tensionuar në Mbretërinë e Bashkuar. Parlamentarët kanë votuar një ligj, i cili nuk lejon kryeministrin ta nxjerrë vendin nga BE pa një marrëveshje, ndërkohë që Johnson po përballet në gjykatë, pas vendimit për të mbyllur parlamentin.

Çfarë do të thotë një Brexit pa marrëveshje? 

Nëse Mbretëria e Bashkuar del nga Bashkimi Europian pa marrëveshje, kjo do të thotë se menjëherë britanikët do ta gjejnë veten, pa akses në tregun e lirë dhe lëvizjen e lirë. Kjo do të thotë se të gjitha produktet që Britania eksporton në BE, do të mbartin taksa dhe tarifa të shtuara, duke i bërë këto produkte më pak të dëshirueshme. Ky është vetëm një prej aspekteve, që do të dëmtonte ekonominë britanike. Dalja pa marrëveshje, gjithashtu do të thotë se Mbretëria e Bashkuar, do të humbasë aksesin e garantuar në tregun e përbashkët, gjë që do të afektonte bankat, kompanitë e sigurimit, deri tek avokatët, kuzhinierët dhe çdo profesion që varet drejtëpërdrejtë nga ky treg.

Në skenarët më të errët, Britania mund të përballet me rritje të çmimeve të ushqimeve, karburantit, vonesa të shumta në kufi dhe mungesa të ushqimeve./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne