“Bllokada ndaj Katarit nuk do të ketë sukses”

Ish-drejtori i përgjithshëm i televizionit të bazuar në Katar Al Jazeera dhe njëherësh kryetar i Forumit Al Sharq, Wadah Khanfar, vlerëson se sanksionet ndaj Katarit janë zbatuar përnjëherë, duke paralajmëruar se çdo hap përshkallëzues, siç është zgjidhja ushtarake, mund t’i kushtojë rëndë komunitetit ndërkombëtar.

Duke vlerësuar krizën mes Katarit dhe disa vendeve arabe në një intervistë speciale për Anadolu Agency (AA), Khanfar thotë se në shtetet që bojkotuan Katarin në çastet e para kishte një ndjenjë se Doha zyrtare do të dorëzohej lehtë.

“Megjithatë, nuk ndodhi siç menduan. Përkundrazi, populli i Katarit dhe qeveria u kapën për njëri-tjetrin, ndërsa kjo gjendje nuk lëkundi ekonominë dhe nuk ndikoi në nevojat themelore njerëzore”, shton Khanfar.

Khanfar shprehet se të gjitha sanksionet tensionuese si mbyllja e kufirit ajror dhe tokësor, deportimi i shtetasve të Katarit dhe pengimi i udhëtimeve në Katar, të gjitha janë zbatuar përnjëherë. Ai konsideron se është ndërmarrë çdo gj që mund të ndërmerret në praktikë.

“Çdo hap përshkallëzues i papritur mund t’i kushtojë rëndë rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar”, vlerëson më tej Khanfar.

Ai thotë se qarqet që bëjnë llogari strategjike nuk kanë pasur asnjë justifikim për zhvillimet. Megjithatë, Ssipas Khanfar, nëse shkohet në një aventurë të pallogaritur, atëherë do të shfaqet një gjendje tjetër e cila do të ngelet jashtë analizave dhe ekuilibrave strategjikë.

“Ajo që është me rëndësi është se shtetet e rajonit si Kuvajti kanë filluar të lëvizin. Turqia shfaqi qëndrim të qartë lidhur me përshpejtimin e marrëveshjes për Bashkëpunim Ushtarak mes Turqisë dhe Katarit. Edhe qëndrimi i Iranit dhe Gjermanisë ishte i mirë. Edhe i Francës dhe Rusisë po ashtu”, vë në pah Khanfar, duke shtuar se kriza tanimë nuk është vetëm rajonale, por është shndërruar në gjendje ndërkombëtare.”

Forca shtytëse më e rëndësishme prapa fushatës ndaj Katarit, sipas Khanfar, është një llogaritje mbi të kaluarën. “Këto shtete që në të kaluarën kanë pasur probleme me Katarin deshën të shfrytëzojnë ardhjen e presidentit amerikan Donald Trump në pushtet”, vlerëson ai.

“Katari ka politikë të pavarur”

Khanfar rikujton se ajo që ka ndodhur vjen pas vizitës së presidentit amerikan Trump në Riad, i cili, siç thekson, ishte kthyer me investime gjigante. “Ata ndjenë një gjasë goditjeje mbi Katarin. Sepse Katari ka një politikë të pavarur, përkufizohet si shtet sovran dhe refuzon të jetë e varur në politikat e shteteve të tjera të rajonit”, shprehet ai.

Duke folur për kërkesat që kanë ndaj Katarit shtetet që zbatojnë bllokadën, Khanfar thotë se deri më tani nuk kanë u ka ardhur ndonjë listë të caktuar, porse listën që kanë hasur nëpër media ai e cilëson si listë e cila është formuar për të përmbledhur çdo lloj akuze ndaj Katarit.

“Rrjedhimisht, nuk i marr seriozisht. Me këtë, ata kanë dashur të lënë përshtypje te populli perëndimor dhe amerikan. Si arsyetime kanë theksuar se Katari është i afërt me Iranin dhe se përkrah Hamasin, organizatat terroriste dhe Hezbollahun. Kjo listë kontradiktore ndaj Katarit e përgatitur nga shtetet që bllokuan Katarin ishte një arsyetim për t’i forcuar hapat e tyre kundër Katarit”, vlerëson Khanfar.

Khanfar më tej thotë se përmbledhja e të gjitha këtyre akuzave në dosjen e njëjtë është përpjekje për t’u treguar në harmoni me perëndimin, e posaçërisht me Trumpin dhe politikën e administratës amerikane për Lindjen e Mesme.

Ai vlerëson se Trump është i gatshëm të mbështes dhe të marrë përsipër këtë rol përmes marrëdhënieve individuale me Gjirin, por, siç potencon, institucionet e tjera janë në dijeni për rrezikun dhe i dinë sfidat rajonale që mund të sjellë ky vendim.

“Të tjerët kanë një qëndrim më të balancuar nga ai i Trumpit, meqë zbatohet një ligj pylli pa i marrë në konsideratë qëndrimet e një shteti tjetër dhe ekuilibrat e forcës”, konsideron Khanfar.

“Turqia mori vendim moral, strategjik, politik dhe racional”

Khanfar e konsideron bazën e Turqisë në Katar dhe vendimin për të dërguar ushtarë si “hap i rëndësishëm për parandalimin e ngritjes së tensioneve dhe përkeqësimit të procesit”. Ai thotë se qëndrimi politik i Turqisë është në harmoni me një vizion strategjik moral në rajon.

“Turqia mori vendim moral, strategjik, politik dhe racional në të mirë të interesave të saj. Nga ana tjetër, të rëndësishme janë edhe ndihmat e saj ndaj Katarit dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje se bashku me komunitetin ndërkombëtar. Pa Turqinë, tanimë është e pamundur ridefinimi i rajonit”, thotë Khanfar.

Duke theksuar se jeta në Katar është duke ecur në mënyrë normale pa ndonjë mungesë të produkteve ushqimore, Khanfar thotë se “Dallimi i vetëm tani dhe atëherë është se atëherë kishte më shumë produkte nga Arabia Saudite, kurse tani vijnë produkte nga Turqia.”

Po ashtu, edhe në linjat e fluturimit Katar-Stamboll, siç thotë, nuk ka parë ndonjë problem. Madje, ai thekson se ka ardhur në Stamboll përmes Qatar Airways. Sipas tij, gjendja e njëjtë vlen edhe për udhëtimit nga Katari për në shtetet e tjera dhe anasjelltas.

“Kjo bllokadë nuk do të ketë sukses”

Khanfar thotë se problemi më i madh është copëtimi i bllokut të Gjirit, duke theksuar se përmes krizës është shënjestruar unitetin në rajonin e Gjirit.

“Godit Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit. Provokon aktorë rajonalë si Turqia dhe Irani. Rrëzon veten në pozitë problematike dhe të dobët në aspektin gjeopolitik. Nuk është e mundur të kesh sukses. Përkundrazi, në rajon do të jesh edhe më i dobët në aspektin strategjik dhe politik. Është lëkundur vizioni i lidershipit për sa i përket të ardhmes së rajonit”, nënvizon Khanfar.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet se Katari ka ofruar disa kompromise, Khanfar theksoi se nuk beson që Doha të ketë ofruar kompromise në çështje siç janë mbyllja e Al Jazeeras apo pohimet se për marrëdhëniet me Hamasin dhe Vëllazërinë Muslimane.

“Deri më tani, nuk kam dëgjuar që shtetet që kanë vendosur bllokadën diplomatike të kenë dërguar kërkesa zyrtare. Katari do të bëjë vlerësime nëse dërgohen kërkesa të tilla. Katari jep përpjekje për moseskalimin e tensioneve dhe kujdeset për mosdhënien e kompromiseve. Dhënia e kompromiseve do të thotë problem i madh nga aspekti i pavarësisë dhe sovranitetit tonë. Andaj, nuk besoj se do ta bëjnë këtë gjë. Edhe deklaratat zyrtare janë në këtë drejtim. Bllokada nuk do të ketë sukses”, thotë ish-drejtori i përgjithshëm i Al Jazeeras, Khanfar, për AA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne