Bllokada në kufi, kompanitë nga Kosova e Serbia humbin miliona euro

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për ndalimin e kamionëve me mallra dhe targa serbe qysh më 15 qershor, në përgjigje të arrestimit të tre policëve kosovarë. Serbia është një ndër shtetet me praninë më të madhe të produkteve të saj në tregun e Kosovës. Në pesë vjetët e fundit, Serbia ka eksportuar produkte në Kosovë në vlerë prej mbi 1.3 miliard eurosh.

Bllokadat në pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës është duke pasur në ndikim keq te të dyja palët.

Kurse, goditjen më të madhe kjo situatë e kanë marrë kompanitë dhe bizneset.

Shoferët e kamionëve me targa serbe, që nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë që nga 14 qershori për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndaluar importin e mallrave nga Serbia, kanë protestuar disa herë në pikat kufitare në Jarinjë, Merdare dhe Bërnjak.

Në bazë të një llogaritjeje të Aleancës Kosovare të Biznesit, vlera e mallrave që bizneset e Kosovës kanë të kontraktuara me kompanitë serbe apo të bllokuara në kufi, arrin vlerën e 30 milionë eurove.

Duke folur në një konferencë për media më 21 qershor, kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, ka treguar se bizneset janë të obliguara, madje, që të paguajnë interes për transportuesit e bllokuar në kufi.

“Në këtë drejtim ne si AKB kemi hulumtuar nga data 15 qershor deri më sot të situatës ekonomike dhe politike Se bizneset në Serbi kanë deri në 30 milionë euro në Serbi. Ekziston edhe një rrezik i maunave që janë bllokuar për shkak të masës që e ka marrë Qeveria e Kosovës si masë kundër arrestimit të tre zyrtarëve policor. Kosova nuk ka mundur të marrë masë tjetër dhe humbja e Serbisë për këto shtatë ditë është 10 milionë euro”.

Shahini ka bërë me dije se nga ndalimi i shkëmbimeve tregtare me Serbinë dhe ndikimi i saj në ekonominë kosovare është 1 milion euro.

“Humbjet mund të jenë edhe më të mëdha po që faktori ndërkombëtar i ka pajtuar. Roli i Shqipërisë është duke luajtur rol të rëndësishëm por faktor kombëtar po luan rol të rëndësishëm. SHBA është tejet e shqetësuar me veprimet që janë duke u marrë nga ana e ekzekutivit”.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka treguar se Qeveria është dashur të konsultohet me bizneset, apo t’i paralajmërojë ato për ndalesën e mallrave nga Serbia, apo me transportues serbë.

“Në pamundësi për të hyrë në vendin tonë, [bizneseve] po u shkaktohen shumë shpenzime, për shkak të transportit ndërkombëtar që kanë të kontraktuar për të importuar prej Serbisë, ose për shkak të pagesave që i kanë bërë në kompanitë serbe”.

Në shenjë kundërshtimi ndaj ndalesës së ndërmarrë nga Prishtina zyrtare, shoferë kamionësh në territorin e Serbisë kanë bllokuar rrugët drejt tri pikave kufitare me Kosovën –

Merdare, Jarinjë dhe Bërnjak – duke mos lejuar kamionë me targa të Kosovës të kalonin nëpër territorin serb.

Edhe Oda Ekonomike e Serbisë ka dënuar bllokimin e shkaktuar nga shoferët e kamionëve, por edhe të bllokimin e hyrjes në Kosovë të transportuesve që kanë targa serbe.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike serbe dhe të Odës Ekonomike të Kosovës janë takuar më 16 qershor në Podgoricë. Ata u bënë thirrje partnerëve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se ekonomia nuk duhet të ndalet.

Më 21 qershor, në pikëkalimi kufitar në Jarinje u lejuan të kalonin për në Serbi vetëm makinat private. Në Merdarë nuk janë lejuar që të kalojnë autobusët, ndërkaq pikëkalimi në Bërnjak është i mbyllur për transportuesit e mallrave në të dyja drejtimet.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndaluar kamionët me targa serbe që të hyjnë në Kosovë, erdhi pasi Serbia arrestoi tre policë të Kosovës. Kosova thotë se ata u rrëmbyen brenda territorit të saj, por Serbia thotë se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit serb.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Serbia është ndër vendet me praninë më të madhe të produkteve, qoftë ushqimore apo edhe të tjera, në Kosovë.

Brenda një dite, ky shtet eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej një milion eurosh.

Në pesë vjetët e fundit, vlera e produkteve të eksportuara nga Serbia në Kosovë ka qenë mbi 1.3 miliard euro, ndërsa prodhimet e Kosovës në tregun e Serbisë kanë arritur vlerën e 215 milionë eurove.

Ekspertë të çështjeve ekonomike kanë paralajmëruar se nëse situata në kufi nuk ndryshon për kohë të gjatë, çmimet e disa produkteve në tregun e Kosovës mund të rriten./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne