Borrell: Është bërë i pamundur dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se fundjava e kaluar ishte një nga ditët më të përgjakshme në Gaza dhe se është bërë i pamundur dërgimi i ndihmave humanitare në rajon. Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së u takuan në Luksemburg për takimin e tyre të fundit para samitit që do të mbahet më 27-28 qershor. Në takimin që do të drejtohet nga Borrell, ministrat do të diskutojnë për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, situatën në Gaza dhe Liban dhe zhvillimet e fundit në Gjeorgji.

Në takim, përveç ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, do të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës. Para takimit, Borrell duke iu referuar situatës në Gaza tha: “Kjo fundjavë ishte një nga ditët më të përgjakshme. Më shumë se 100 palestinezë humbën jetën nga sulmet”.

“Është bërë i pamundur dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza”, tha Borrell duke shtuar se ndihma ishte duke pritur në kufi, e prishur dhe pjesa më e madhe e saj do të shkatërrohej përpara se të përdorej. “Struktura sociale është shkatërruar dhe shoqëria civile po zhduket”, theksoi ai.

Duke kujtuar se plani i paqes i propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden, i mbështetur nga BE-ja, nuk është zbatuar, Borrell tha: “Deklarata e fundit e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, për fat të keq, konfirmoi se ky plan nuk do të zbatohet. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të mbështesim ide të tilla, sepse ne do të vazhdojmë të mbështesim hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza”.

Liban

Borrell tha se rreziku që lufta të prekë jugun e Libanit dhe të përhapet në zonat përreth rritet dita-ditës. “Unë po shqetësohem më shumë. Jam shumë më i shqetësuar. Kriza po përhapet çdo ditë e më shumë. Ka më shumë bombardime çdo ditë në të dy anët e kufirit (Izrael-Liban)”, tha shefi i diplomacisë evropiane.

Ai theksoi se në takimin e sotëm, ministrat e Jashtëm të BE-së shpresojnë se Unioni do të pranojë të shtojë përpjekjet midis partnerëve ndërkombëtarë për të kërkuar mbështetje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne