Borrell për vendimin e gjykatës së OKB-së ndaj Izraelit: Hendeku mes ligjit dhe realitetit nuk ka qenë kurrë më i madh”

Në përgjigje të vendimit të së premtes së kaluar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pushtimin izraelit dhe sulmet ndaj territoreve palestineze, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se asnjëherë më parë hendeku midis ligjit dhe asaj që ndodh në terren nuk ka qenë kaq i madh.

“Asnjëherë më parë ajo që thotë ligji dhe ajo që ndodh në terren nuk ka qenë kaq e pakapërcyeshme dhe e gjithë kjo nën syrin vigjilent të një komuniteti ndërkombëtar të pafuqishëm”, tha Borrell në një konferencë për media pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

“Prandaj sot nuk ka armëpushim, nuk ka plan për Gazën, nuk ka ringjallje të zgjidhjes globale. Përkundrazi, ka një vazhdimësi të operacioneve ushtarake në Gaza dhe po bëhet banale të thuash sot, nesër, dje dhe ditën pas të nesërmes se dhjetëra mijëra janë vrarë nga bombat dhe pengje ende nuk janë liruar”, shtoi ai.

Borrell theksoi se BE-ja duhet të ndërmarrë hapa të prekshme dhe më të vendosur për të mbështetur ringjalljen e një procesi të paqes midis Palestinës dhe Izraelit të bazuar në një zgjidhje me dy shtete.

“Është e qartë se këshilla e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është se pushtimi i Bregut Perëndimor është i paligjshëm dhe duhet të marrë fund. Dhe Izraeli duhet të tërhiqet nga këto territore”, tha Borrell.

Opinioni i fundit i gjykatës së lartë të OKB-së, në përgjigje të një kërkese të vitit 2022 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, tha se pushtimi i Kudsit Lindor dhe Bregut Perëndimor nga Izraeli është i “paligjshëm” dhe duhet të përfundojë “sa më parë”.

Gjykata tha se Izraeli duhet të ndërpresë aktivitetet e reja të vendbanimeve dhe të evakuojë të gjithë kolonët nga Territori Palestinez i Pushtuar./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne