nga Alexander Brezar.
Qesh apo jo me këtë skenë, ajo mund të lexohet në dy mënyra. Së pari, si dëshmi e aftësinë e boshnjakëve për t’u solidarizuar me fatkeqësinë e të tjerëve, madje edhe kur janë vetë në rrethana të tmerrshme. Leximi i dytë është më pak i kënaqshëm: a mund të ishte ai ushtar i panjohur aq i pandjeshëm për situatën e dëshpëruar në të cilën gjendej vetë, vdekjen dhe shkatërrimin që shenjoi fillimet e pavarësisë së Bosnjes, saqë gjenocidi në Ruanda iu duk më i madh?
Në vitin 1992 në Sarajevë, festoja ditëlindjen e tetë, vetëm pak javë para se të niste gjithçka. Prindërit e mi më organizuan një festë, pa marrë parasysh faktin se në Bosnjën lindore dhe në luginën midis republikave socialiste të Bosnjës dhe Serbisë, myslimanëve boshnjakë ose boshnjakëve, tashmë po ndodhte spastrimi etnik, i cili kryhej nga forcat nacionaliste serbe.
Më herët atë dimër, as tmerret e rrethimit të Vukovarit në Kroacinë fqinje nuk i kishin ndaluar familjet e Sarajevës që t’i çonin fëmijët e tyre për ski. “Nuk mund të ndodhë këtu, nuk mund të na ndodhë ne”, ishte një shprehje që e dëgjoje përditë. Mbaj mend se si në festën time të ditëlindjes, një nga baballarët e shokëve të mi, një kolonel i Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, i mori prindërit e mi mënjanë dhe u tregoi për rrezikun e afërt. Prindërit e mi e dëgjuan me mirësjellje paralajmërimin e tij. Por më vonë, po atë mbrëmje, ata ishin duke qeshur me fjalët e tij, siç qeshet me ato që thotë një i çmendur. “Lufta është e pamundur të ndodhë këtu”, mendonin ata, duke besuar në faktin se pluralizmi karakteristik i Bosnjës do të ishte shpëtimi ynë. Për më tepër, ne jetonim në rrugën “Vëllazëri dhe Unitet”.
Padyshim, ata gaboheshin. Udhëtimi ynë dyjavor për të vizituar dajën “derisa gjërat të qetësohen” u kthye në një odise katërvjeçare në kërkim të një strehimi, ndërsa babai im qëndroi në shtëpi. Ndërkohë, Sarajeva jonë rrethohej vazhdimisht. Snajperët e serbëve të Bosnjës nuk bënin dallime midis objektivave ushtarakë dhe fëmijëve që luanin në rrugë. Më në jug, qyteti i Mostarit do të gjendej i rrethuar në të njëjtën mënyrë. Banja Luka, qyteti i dytë më i madh i vendit, u spastrua sistematikisht nga ata që nuk ishin serbë dhe të gjitha xhamitë e tij u shkatërruan, duke përfshirë Ferhadijen, një objekt i trashëgimisë botërore, i mbrojtur nga Unesco. Vendi u bë dëshmitar i kampeve të torturës, përdorimit të përdhunimeve si armë lufte, ekzekutimeve masive të të burgosurve përfshirë fëmijët, një orgji e dhunës që kulmoi me gjenocidin në Srebrenicë, ku mijëra u vranë në vetëm 10 ditë. Dhe mesazhi nga bota dukej sikur ishte që ne ishim të vetëm në gjithë këtë – vëllazëria, uniteti dhe vetë jeta ishin mallkuar.
Familja ime u ribashkua në vitin 1996. Apartamenti ynë ishte shkatërruar dhe babai i kishte shpëtuar vdekjes për një fije. Së bashku me shumë të tjerë, ai u bë statistikë. Sipas shifrave zyrtare, 400 000 deri 1,7 milionë boshnjakë vuajnë nga çrregullimet e stresit postraumatik. Nëse patën fatin të mbijetonin, mirë është edhe kaq.
Një nga kujtimet më të gjalla që kam për kthimin tonë është ai kur pashë varrezat e qytetit për herë të parë pas gati katër vjetësh. Një det me shtylla mermeri ishte përhapur nëpër kodrat fqinje, secila një monument për tragjedinë e dikujt. Me 130 000 të vdekur dhe 2.2 milionë refugjatë dhe të shpërngulur brenda vendit, askush nuk mbeti i paprekur nga konflikti. Por njerëzit u përqëndruan te rindërtimi – shtëpitë e tyre, jeta e tyre, vendi. Vazo lulesh mund të shiheshin në çdo ballkon dhe dritare në ato ditë. Bosnja u përfaqësua në Lojërat Olimpike dhe mori pjesë në konkursin e këngës në Eurovizion.
Megjithatë, në një vend ku paqja u ndërmjetësua vetëm për të parandaluar tmerre të tjera dhe ku lufta nuk kishte fitues të qartë, nuk mund të kishte fund të lumtur. Një aparat i rëndë shtetëror me 14 nivele të qeverisjes dhe asnjë strategji të qartë pajtimi e la të hapur derën për vazhdimin e politikës së lojës me zjarrin etno-nacionalist dhe për korrupsionin endemik. Privatizimi i kompanive shtetërore u dëmtua nga nepotizmi, klientelizmi dhe keqpërdorimi në përmasa të mëdha. Papunësia e të rinjve është rritur gjatë 5 viteve të fundit, duke arritur kulmin në 57.5%.
Pothuajse 25 vjet pas përfundimit të luftës, qytetarët boshnjakë janë në varfëri, me rreth 23% që vlerësohet se jetojnë nën kufirin minimal të saj. Kjo ka çuar në një eksod të ri masiv. Vetëm në vitin 2016, një vlerësim nga Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike deklaroi se 80 000 boshnjakë kishin fituar të drejtën për të punuar në vendet e BE-së. Aktualisht, qindra mijëra njerëz largohen nga Bosnja çdo vit. Dhe nuk e kthejnë më kokën pas. Nacionalizmi toksik është gjithnjë i pranishëm. Retorika separatiste po përhapet sërish nga Republika Srpska, lideri i së cilës gjithnjë e më shumë këmbëngul që shpërbërja e Bosnjës është e pashmangshme.
Serbia fqinje, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç, vijon të zgjerojë arsenalin e saj ushtarak, ndërsa përpjekjet e Republikës Srbska për të formuar një forcë policore ndihmëse dhe shumë të militarizuar kanë alarmuar jo pak, përfshirë Këshillin e Sigurimit në OKB. Qeveria kroate është përfshirë në një skandal pasi shërbimet e saj të inteligjencës thuhet se u përpoqën të armatosnin fshehurazi grupet e vogla islamike në Bosnje, si një mënyrë për të mbështetur pretendimin e pabazuar se vendi është një “vatër e terrorizmit në Evropë”. Edhe historia po rishkruhet. Në Kroaci ka një tendencë shqetësuese për zbardhjen e regjimit pronazist të Ustashëve në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë, qeveria e Republikës Srpska manipulon të vërtetën rreth gjenocidit në Srebrenicë. Pjesa më e madhe e këtij revizionizmi politik sponsorizohet nga aktorë të jashtëm malinjë, përfshirë Rusinë. Politika evropiane e ngritjes së supeve nuk ndihmon aspak.
Për ata që ende besojnë te një Bosnjë e vetme dhe e bashkuar, ditët e naivitetit të gabuar kanë mbaruar prej kohësh. Të shenjuar nga përvoja e tre dekadave të fundit, boshnjakët janë dhimbshëm të vetëdijshëm se ky projekt multikulturor dhe multietnik është seriozisht i kërcënuar. Më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për ndihmën e Evropës. Nëse Evropa lejon që Bosnja të bjerë viktimë e forcave etno-nacionaliste, ajo do të vulosë fatin e saj, si edhe tonin. /theguardian/TemaTv